Nisen drejt Tiranës të plagosurit e aksidentit në Burrel, kapet shoferi që u largua nga vendi ngjarjes

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 19.02.2024, 15:25

Ylber Xhepavdia, 28-vjeçari që mesditën e sotme aksidentoi 4 këmbësorë në Burrel dhe u largua nga vendi i ngjarjes, është arrestuar.

I riu po drejtonte një mjet tip “Benz” kur përplasi 4 persona në vendin e quajtur “ish-grumbullimi” . Ai fillimisht është përplasur me koshin e mbeturinave dhe ka marrë përpara katër personat që ndodheshin në trotuar duke i plagosur rëndë.

Mes të plagosurve ishte edhe një punonjës i pastrimit të qytetit, i cili në momentin e aksidentit po i ndërronte gomën mjetit të pastrimit. Për momentin ai po merr trajtim mjekësor në spitalin e Burrelit, ndërsa 3 të plagosurit e tjerë, mes tyre edhe një fëmijë, janë nisur me urgjencë drejt spitalit të Traumës.
Për këtë ngjarje, policia ka shoqëruar edhe shtetasin me iniciale A.B pasi ka larguar nga vendi i ngjarjes 28-vjeçarin.
Njoftimi i policisë:

Aksidentoi 4 këmbësorë dhe u largua menjëherë nga vendi i aksidentit, lokalizohet, kapet dhe arrestohet 28-vjeçari. Shoqërohet në Komisariat dhe një shtetas tjetër, i cili me mjetin e tij, ndihmoi të largonte nga vendi i aksidentit 28-vjeçarin.

Në vijim të informaciont paraprak, ku në vendin e quajtur ‘ish grumbullimi’, në Burrel, shtetasi Y.Xh., duke drejtuar automjetin tip “Benz”, aksidentoi 4 shtetas (këmbësorë), dhe u largua menjëherë nga vendi i aksidentit, si rezultat i veprimeve hetimore dhe intensive të kryera nga shërbimet e Policisë Rrugore në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Mat dhe shërbimet e Policisë Rrëshen, u bë i mundur lokalizimi i vendodhjes, kapja dhe arrestimi i drejtuesit të automjetit që shkaktoi aksidentin, shtetasit Y.Xh., 28 vjeç, banues në Mat.

Gjithashtu, u bë shoqërimi në Komisariat i shtetasit A.B., i cili me automjetin e tij, ndihmoi të largonte nga vendi i aksidentit shtetasin Y.Xh. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprime të mëtejshme.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit