Rruget në hyrje të Prishtinës sot janë mbushur me billborde të ish-presidentit Hashim Thaçi, i cili si kryeministër e kishte lexuar Deklaratën e Pavarësisë më 17 shkurt 2008, me të cilën Kosova u shpall shtet i pavarur dhe demokratik.
Billborde me Thaçin në prag të shënimit të gjashtëmbëdhjetë vjetorit të pavarësisë janë parë në Veternik, afër lagjes “Priam”, në rrugën e aeroportit “Adem Jashari”, në fshatin Sllatinë dhe Harilaq, etj.
Ndryshe, ky është përvjetori i 4-të që Thaçi si figurë kryesore e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, po e pret në paraburgim në Hagë së bashku me Kadri Veselin, Jakup Krasniqin, Rexhep Selimin dhe bashkëluftëtarë të tjerë, ndërkohë që procesi gjyqësor po vazhdon të jetë shumë i ngadaltë, me seanca të mbyllura dhe aspak transparent.