Sipas të dhënave nga Eurostat, në vitin 2022, mosha mediane ( vlera që ndan gjysmën më të vjetër nga gjysma më e re e popullsisë) e popullsisë së Shqipërisë arriti në 38.2 vjet, duke u renditur bashkë me Kosovën në mesin e vendeve me popullsinë më të re në Evropë.
Por në dy dekadat e fundit, plakja e popullsisë është rritur me ritme të larta. Këtë e tregojnë më së miri të dhënat e krahasuara me vitin 2002. Asokohe, mosha mediane e popullsisë ishte 27.6 vjeç, por me kalimin e viteve popullsia është plakur me 10.6 vite norma më e lartë nga të gjithë vendet e Europës, e cila gjatë kësaj periudhe është plakur me vetëm 4.7 vite.
Në janar të vitit 2023, mosha mesatare e popullsisë së BE-së arriti në 44.5 vjeç dhe kjo do të thotë se gjysma e popullsisë së BE-së ishte më e vjetër se 44.5 vjeç, ndërsa gjysma tjetër ishte më e re. Mosha mesatare e popullsisë së BE-së është rritur me 2.3 vjet që nga viti 2013, kur ishte 42.2 vjeç, ndërsa popullsia e Shqipërisë për të njëjtën periudhe është plakur me 4.5 vite ritme dy herë më të lartë se mesatarja e Europës.
Në vitin 2022 në Europë, vendi me popullsinë më të re është Kosova ku mosha mediane është 31.1 vite, ndërsa Italia vendi me popullsinë më të vjetër.
Ndër faktorët që kanë ndikuar në plakjen e popullsisë në Shqipëri, mund të përmendet ikja e popullsisë në emigracion, kryesisht në moshë të re dhe rënia e lindjeve me ritme të shpejta.