Arrestimi i Ibrahim Licit, vëllai i tij: Është vetëdorëzuar, në Shqipëri i rrezikohet jeta

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 15.02.2024, 11:35

Hamza Lici, vëllai i Ibrahim Licit ka reaguar pas lajmeve se ky i fundit është arrestuar në Turqi.

Policia shqiptare, me anë të një njoftimi për mediat, tregoi se Lici është arrestuar në Turqi si i shumëkërkuar nga Interpol dhe i akuzuar për vrasjen e Endri Mustafës në 2021.

Por vëllai i tij Hamza Lici ka hedhur poshtë këtë njoftim të policisë shqiptare duke treguar se Ibrahimi është vetëdorëzuar me qëllim kërkimin e azilit në shtetin turk pasi në Shqipëri nuk ndihet i sigurtë.

Në deklaratën e tij, ai ka thënë se shteti shqiptar bashkëpunon me bandat kriminale, prandaj jeta e vëllait të tij është në rrezik nëse ekstradohet në Shqipëri.

“Vëllai im nuk është arrestuar siç deklaroi me bujë policia e shtetit në Shqipëri por është vetëdorëzuar tek autoritetet turke me qëllim për të kërkuar azil pasi nuk ka besim tek shteti dhe qeveria shqiptare. Shteti në Shqipëri është vërtetuar se bashkëpunon me bandat kriminale ndaj Ibrahimi ka vendosur që të vetëdorëzohet në Turqi. Në Shqipëri vëllait tim i rrezikohet jeta dhe në këtë mënyrë ka vendosur që të vetëdorëzohet. Nuk është e vërtetë se është arrestuar por si gjithmonë policia kërkon që t’i bëjë të bujshme edhe pse nuk ka asgjë të vërtetë. Vëllai im është i pafajshëm pasi nuk ka kryer asnjë vrasje dhe kjo është e vërtetuar por drejtësia shqiptare nuk do që t’i marrë parasysh. Ibrahimi do të ndjekë procedurat e azilkërkuesit në Turqi dhe nuk mund të ekstradohet pasi në Shqipëri jeta e tij është në rrezik nga bashkëpunimi i shtetit me bandat kriminale”.

Ibrahim Lici dyshohet se është autor i vrasjes së Endri Mustafës në Shkodër në maj 2021, dhe ka qenë një nga 5 personat më të kërkuar nga policia në Shqipëri.

Gjykata e Rrethit Gjyqësor Shkodër, në vitin 2021, i ka caktuar këtij shtetasi, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për vepat penale “Vrasja me paramendim” dhe “Mbajtje pa leje dhe prodhim i armeve shperthyese dhe municionit”, pasi më datë 15.05.2021, dyshohet ka vrarë me armë zjarri pistoletë, shtetasin Endri Mustafa.

Por familjarët e të arrestuarit dhe viktimës kanë mohuar deri më tani përfshirjen e tij në ngjarjen e rëndë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit