Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka komentuar deklaratat e Ndihmës Sekretarit amerikan të Shtetit, James O’Brien ku thotë se “nëse ne nuk trajtohemi si partner, edhe ne nuk do ta trajtojmë qeverinë e Kosovës si partnere”.
Kryeministri Kurti theksoi se nuk po rrezikohet partneriteti me Amerikën, dhe shtoi se Kosova nuk ka partnere, aleatë dhe mik më të rëndësishëm sesa ShBA-të. Derisa tha se Kushtetueshmëria dhe ligjshmëria janë prioritet i qeverisë së tij, edhe sa i përket rregullore së BQK-së.
“Republika e Kosovës nuk ka partner, aleatë dhe mik më të rëndësishëm sikurse ShBA-të, kështu e konsideroj dhe bashkëpunoj unë si kryeministër i Republikës së Kosovës. BQK ka prezantuar një plan dhjetë pikësh për zbatimin e rregullores së saj. Ne jemi Republikë demokratike, qeveria nuk i mbivendoset institucioneve të pavarura shtetërore siç është BQK, dhe në mesin e këtyre dhjetë pikave si plan pune për zbatimin e rregullores, BQK nuk ka paraparë asnjë masë ndëshkuese.
Pra pa ndëshkim, incidente duam të ecim përpara. Kushtetueshmëria dhe ligjshmëria janë prioritet i yni, por njëkohësisht ne kujdesemi edhe për paqe e siguri, kujdesemi edhe për mirëqenien e qytetarëve serb. Jam kryeministër i cili nuk dëshiron qe qytetarët të kenë më pak para, të kenë më shumë para. BQK ja ka dërguar një letër Bankës popullore të Serbisë, shpresojmë se do të përgjigjen. Nuk është ndaluar dinari në Kosovë, bëhet fjalë për dinarin si mjet pagese, jo për dinarin që mund ta kenë qytetarët. Nuk dëshirojmë qe të ndëshkojmë askënd me kurrfarë masash, mirëpo ta bëjmë këtë tranzicion, ashtu që të legalizohet, të formalizohet çdo transaksion financiar…Nuk po rrezikohet partneriteti me Ameriken”, tha Kurti.
Këto komente Kurti i bëri pas ceremonisë së përurimit të projektit të MRI-së në Spitalin Regjional të Prizrenit.
Kurti shtoi po ashtu se do t’i japin kohë tranzicionit sa i përket implementimit të rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës.
“Pas çlirimit 1999-të ne kemi pasur markën gjermane, nga janari i vitit 2002 e kemi euron evropiane, askush nuk po thotë merreni lekun e Shqipërisë ose valutën e re kosovare dardan, por euron, është evropiane. Nuk besoj se qytetarët serb janë ata që shohin këtë problem, por natyrisht Beoradi zyrtar qe nuk e pranon pavarësinë dhe nuk i pranon krimet e kryera para 25 vjetëve në Kosovë morën përmasat e gjenocidit, është ai i cili sjell këso paralajmërimesh.
Andaj, do t’i japim kohë tranzicionit, BQK udhëheq me hapat dhjetëpikësh, edhe ne do të japim kontributin tonë për zbatim sa më të ‘lëmueshëm’ dhe si për BQK, për shtet ndërtimin tonë demokratik, për sistemin tonë financiar, jemi gjithashtu falënderues e mirënjohës ShBA-ve që kanë kontribuar jo vetëm thjesht 16 të shtetit të pavarur por 25 vjet të Kosovës së çliruar”, deklaroi Kurti.
I pyetur se çfarë po bënë Qeveria për të aktualizuar problemin për krimet që ka bërë Serbia, Kurti ka thënë se Kosova ka themeluar Institutin për hulumtimin dhe dokumentimin e krimeve dhe u ka bërë thirrje Prokurorisë Speciale të Kosovës të jetë sa më aktive në përndjekjen e këtyre krimeve të kryera nga Serbia.
“Ne tashmë kemi themeluar Institutin për hulumtimin dhe dokumentimin e krimeve të kryera gjatë luftës. Aty ka një drejtor, profesor universiteti, Atdhe Hetemi, i cili po krijon ekipin e vet në mënyrë që krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë të hulumtojnë, dokumentojnë dhe trajtohen. I bëjë thirrje edhe njëherë Prokurorisë Speciale të Kosovës të jetë sa më aktive në përndjekjen e këtyre krimeve të kryera, meqenëse se ende kemi dëshmitarët e gjallë dhe plagët e freskëta dhe sa më herët qe trajtohen këto krime, aq më mirë është edhe për proceset gjyqësore”, shtoi Kurti.