Altin Çoku, 39-vjeçari që u arrestua pak ditë më parë për akuzën 'shkaktimi i vetëvrasjes' ka qenë i dënuar në vitin 2015, pasi ka kërcënuar me jetë mjekun e tij psikiatër.
39-vjeçari që dyshohet se ka shtyrë 27-vjeçaren Sibela Abedini drejt vetëvrasjes, në vitin 2014 ka kërcënuar me jetë mjekun e tij me iniciale G.S dhe i ka kërkuar para.
Në vitin 2014, Çoku ka qenë pacient i mjekut G.S i cili shërbente si mjek neuro-psikiatër pranë spitalit të Laçit. Por 39-vjeçari disa herë, në mënyrë verbale, nëpërmjet mesazheve telefonike dhe letrave të shkruara i ka kërkuar para mjekut duke e kërcënuar me jetë.
Në qershor të vitit 2014, Altin Çoku ka shkuar në zyrën e mjekut dhe i ka kërkuar para për disa çështje personale që kishte. Vetë mjeku ka treguar se në mënyrë të vazhdueshme i ka dhënë pacientit të tij rreth 4 mijë euro, pasi ky e fundit e kërcënonte me jetë.
Disa prej mesazheve të Çokut për mjekun:
“Une jam ke shpija më bëj sms a të vij sipër e ti marr apo nuk ke gjet gjato vroj se fol me njeri se un o ti gjall pastaj”.
“G. un jam ne hall dhe me ndimo po dashte me i marr lekt tuja; dhe nese nuk do me pas gjakderdhje un per 5 minuta jam dhe vet aty gzim me ndimo te lutem deri neser, Tani gjej ku te dush 1000 euro deri neser ose kam me vra kush te me dali para, pastaj veten.dhe ty te humb gjithqka ke un neser marr lekte shpis….”.
Asokohe, për këtë ngjarje Çoku u dënua me dy vjet e tre muaj burgim, por duke qenë se iu ul 1/3 e dënimit, ai u dënua me 1 vit e 6 muaj burgim. Por ky dënim, atij iu konvertua në shërbim prove për 5 vite, për shkak të probleme mjekësore. Kundër këtij vendimi, u bë rekurs në Gjykatën e Lartë nga prokurori i Apelit Për Krime të Rënda e cila në vendimin e datës 24/11/2016 thuhet se nuk e ka pranuar, duke e lënë Çokun që nga ajo kohë të lirë.