Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Kavajë një ditë më parë, por që vetëm sot është zbuluar nga policia.
Mësohet se një 35-vjeçar, me probleme të shëndetit mendor ka vrarë nënën e tij nëpërmjet dhunës fizike.
Në fillim vdekja e 75-vjeçares është raportuar si vdekje natyrale por pas kryerjes së hetimeve të thelluara dhe ekspertizës mjeko-ligjore, është konstatuar se shtetasja kishte disa orë që kishte humbur jetën.
Nga hetimet ka rezultuar se djali i saj, Ndriçim Sokoli kishte ushtruar dhunë fizike duke i shkaktuar dëmtime që kishin sjellë si pasojë humbjen e jetës.
35-vjeçari është arrestuar pas zbardhjes së ngjarjes së rëndë.
Burime për JOQ ALBANIA kanë treguar se nëna dhe djali me probleme të shëndetit mendor jetonin bashkë.
Njoftimi i Policisë:
U raportua fillimisht si vdekje natyrale, si rezultat i veprimeve të thelluara hetimore, zbardhet shkaku i humbjes së jetës së 75-vjeçares. Vrau nënën e tij, nëpërmjet dhunës fizike, arrestohet në flagrancë 35-vjeçari Ndricim Sokoli. 35-vjeçari vuante nga sëmundje mendore.
Në vijim të veprimeve të thelluara hetimore të kryera në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për zbardhjen e shkakut të humbjes së jetës së shtetases 75 vjeçe, e cila u gjet e pajetë më datë 10.02.2024, në banesën ku jetonte me djalin e saj, sqarojmë se:
Në momentet e para, nga këqyrja e jashtme paraprake e trupit të 75-vjeçares, nuk janë konstatuar shenja dhune dhe ngjarja është raportuar si vdekje natyrale. Pas kryerjes së hetimeve të thelluara dhe ekspertizës mjeko-ligjore, është konstatuar se shtetasja kishte disa orë që kishte humbur jetën.
Gjithashtu, rezultoi se djali i saj, shtetasi i cili vuan nga sëmundje mendore, kishte ushtruar dhunë fizike ndaj 75-vjeçares, dhunë e cila i kishte shkaktuar dëmtime që kishin sjellë si pasojë humbjen e jetës. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme