Greku që u vra mbrëmë me biznese e prona edhe në Shqipëri, zbulohet lidhja me shqiptarët

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 08.02.2024, 11:09

Detaje të reja janë zbardhur nga vrasja e biznesmenit grek, Christos Gialia, në zonën e Agia Akaterinit, në Mandra.

Dëshmitarët në vendngjarje kanë deklaruar se në momentin e ekzekutimit me 15 plumba, biznesmeni ka qenë pa truprojën e tij, i cili e shoqëronte në çdo moment.

59-vjeçari ishte pronar i një kompanie tregtare mishi me qindra punonjës dhe shumë prej tyre ishin shqiptarë. Në të njëjtën kohë, ai ishte pronar dhe agjent i tre ekipeve të futbollit, përkatësisht AO Trikala, Paneleussiniakou dhe Mandraikos.

Por jo vetëm kaq pasi biznesmeni i cili kishte qenë më parë i martuar me një shqiptare, që ia vranë për motive grabitje, rezulton pronar biznesi edhe në Shqipëri. Në vitin 2007 ai ka themeluar një kompani me qendër në Labinot Fushë të Elbasanit. Objekti i veprimtarisë së kësaj kompanie është tregtia me shumicë e pakicë e mallrave të ndryshëm industrialë, elektroshtëpiake, transport udhëtarësh, hotel dhe bar.

Përveç kësaj ai rezulton të ketë prona edhe në Tiranë dhe shumë prej bashkëpunëtorëve të tij janë shqiptarë. Madje njëri prej tyre, Thimi Prifti alias Thimi Droboniku u qëllua për vdekje nga një sulmues i panjohur jashtë shtëpisë së tij në Paleo Faliro, mbrëmjen e 30 nëntorit 2023.

Gialias rezulton me precedentë penalë, pasi i janë gjetur sasi të mëdha armësh, kryesisht “Kallashnikovë”. Ai gjithashtu ka precedentë në fushën e narkotikëve, si dhe në punësimin e paligjshëm të punëtorëve nga Pakistani në Greqi. Dyshimet e deritanishme të policisë kanë të bëjnë me kontrabandën e cigareve, për shkakun e së cilës janë ekzekutuar shumë krerë të mafias greke vitet e fundit.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit