Inceneratori i Tiranës, edhe pse nuk ekziston, vijon të gllabërojë mijëra euro nga buxheti i shtetit. Sipas të dhënave të bëra publike në “Open Data Albania” në të cilën pasqyrohen transaksionet ditore të thesarit nga Ministria e Financave, rezulton se në muajin janar 2024, Integrated Energy BV SPV ka përfituar 2.1 milionë euro, te cilat janë detyrime të prapambetura të Bashkisë së Durrësit dhe Tiranës ndaj Inceneratorit të kryeqytetit.
Nga shifrat rezulton se Bashkia Durrës i ka paguar Inceneratorit të Tiranës rreth 600 mijë euro, ndërsa Bashkia Tiranë i ka paguar rreth 1.5 milionë euro.
Por skandali nuk mbaron këtu, zbulohet se lekë ndaj Inceneratorit të Tiranës ka paguar edhe vetë Gjykata e Lartë, ndonëse në një vlerë të vogël, krahasuar me Bashkitë Tiranë dhe Durrës.
Ndërkaq sipas prononcimeve në media të ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj, nënkuptohej se pronari i vërtetë i Inceneratorit të Tiranës, është vetë Erion Veliaj.