Po kthehej nga puna, shqiptari, baba i dy fëmijëve humb jetën në Itali

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 07.01.2024, 14:18

Një 32-vjeçar shqiptar, baba i dy fëmijëve, ka humbur jetën në një aksident tragjik në Itali.

Eduart Hoxha sapo kishte përfunduar turnin e punës kur teksa po lëvizte me makinë u përplas nga një makinë tjetër duke gjetur vdekjen e menjëhershme.

Aksidenti ka ndodhur në zonën Selva Piana të Mosciano Sant'Angelo, në provincën e Teramos. Sipas banorëve të zonës 32-vjeçari Eduart Hoxha kishte përshkruar vetëm 20 metra rrugë kur në hyrje të rrugës kryesore u përplas nga një Audi A3 që drejtohej nga një 25-vjeçar.

Në vendngjarje ndërhynë me shpejtësi një autoambulancë e Kryqit të Kuq dhe një autoambulancë e 118, si dhe zjarrfikësit të cilët nxjorrën nga rrënojat 32-vjeçarin e plagosur rëndë. Mjekët i dhanë ndihmën e parë por ai ndërroi jetë pak minuta më pas.

I riu 25-vjeçar që drejtonte makinën Audi u transportua me këmbë të thyer në spitalin e Giulianova, ku më pas u operua. 25-vjeçari, si zakonisht, iu nënshtrua testeve të drogës dhe alkoolit, rezultatet e të cilave ende nuk janë bërë të ditura.

Ndërkohë trupi i shqiptarit do t’i nënshtrohet autopsisë. Ai kishte lindur në Tiranë por prej vitesh jetonte në Mosciano. Miqtë e tij thonë se ai ishte i dashur dhe i respektuar nga të gjithë.

“Është një tragjedi e vërtetë. Kjo është një tjetër viktimë e punës. E njihja mirë djalin dhe familjen e tij. Ai ishte një i ri i njohur në qytet, i dashur dhe i respektuar nga të gjithë, gjithmonë i gatshëm për të ndihmuar të tjerët”.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit