Dalipi i OSSH gati për burg, jep 8 miliardë për 170 makina me qira

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 28.12.2023, 22:02

Blendian Dalipi mund të duket në pamje të parë si një person i parëndësishëm, i fokusuar diku në një cep e duke u marrë me punët e mërzitshme të OSSH, por në fakt po rezulton ditë pas ditë si njëri ndër shpërdoruesit më të mëdhenj të fondeve publike në Shqipëri.

Drejtuesi aktual i Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes, përveçse ka dhënë një numër jashtëzakonisht të lartë në sasi dhe vlerë të tenderave të dyshimtë, vazhdon përsëri të shpërdorojë shifra të frikshme.

Vetëm ditën e sotme do të shikoni se ka shpërdoruar rreth 8 miliardë lekë të vjetra me TVSH për të marrë 170 automjete me zero kilometra me qira. Bëhet fjalë për tenderin me numër reference REF-85767-10-30-2023 dhe me objekt “Marrje me qira mjete motorike për nevojat e shoqërisë OSSH sh.a dhe FSHU sh.a.”.

Fondi limit i caktuar është në vlerën 672,888,000 lekë të reja pa TVSH ose gati 8 miliardë lekë të vjetra përfshirë TVSH. Duke parë specifikimet teknike të tenderit vihet re se do të merren 170 automjete në total dhe të gjitha duhet të jenë me zero kilometra dhe me vit prodhimi minimumi 2021.

Këto para do të paguhen për mbajtjen e këtyre automjeteve me qira për 3 vjet. Përtej kësaj duke shfletuar dokumentat e tenderit shikohet se në të kanë marrë pjesë vetëm dy kompani. Nga këto Blendian Dalipi ka shpallur fituese atë që ka dhënë ofertën më të lartë mes të dy firmave.

Diferenca mes tyre nuk është e vogël por plot 300 milionë lekë të vjetra me TVSH. Fituese është shpallur firma Tirana Auto e cila të paktën me letra ka si pronar shtetasin Benon Dede. Oferta fituese mban vlerën 671,220,000 lekë të reja pa TVSH ose gati 8 miliardë lekë të vjetra me TVSH.

Kjo ofertë është ndërkohë thuajse sa 100% e fondit limit. Nëse SPAK do të funksiononte siç duhet, tashmë Dalipi duhet të ishte pas hekurave.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit