Dritan Agolli, drejtuesi i Fondit Shqiptar të Zhvillimit e “nxjerr kokën” përsëri.
Pas një sërë tenderash në shifra të frikshme, ndër të cilët spikati tenderi që i dha kuzhinierit të restorantit të tij, Agolli duket se ka vazhduar përsëri të realizojë i qetë tendera të tjerë të dyshimtë.
Procedura e radhës në të cilën ai ka bërë pis duart është ajo që mban numrin e referencës REF-85581-10-27-2023 dhe ka si objekt “Investime për transformimin e aseteve publike me potencial zhvillimi në modele të standartit më të lartë të zhvillimit, Loti 2 Kompleksi i Dijes, Korçë”.
Tenderi ka si fond limit shifrën 474,325,344 lekë të reja pa TVSH ose gati 5.7 miliardë lekë të vjetra me TVSH. Nëse shikojmë dokumentacionin përkatës të këtij tenderi, shikohet se të paktën 3 kompani të tjera kanë ofruar më pak se fituesi dhe një tjetër ka hyrë në garë pa paraqitur ofertë.
Megjithatë Agolli nuk e ka vrarë aspak mendjen dhe ka zgjedhur si fituese kompaninë XHENGO SHPK në pronësi të Ali, Shyqyri dhe Ardian Xhengo për një vlerë prej 337,313,081 lekë të reja pa TVSH ose gati 4 miliardë lekë të vjetra me TVSH. Në këtë mënyrë Agolli ka hedhur “në plehra” 4 miliardë të tjera nëpërmjet një tenderi tepër të dyshimtë.