Me mjekër, tatuazhe dhe syze: Lul Berisha me pamje të transformuar në Spanjë

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 15.12.2023, 08:34

I shumëkërkuari i drejtësisë shqiptare, Lulzim (Lul) Berisha është arrestuar në Spanjë.

Arratia 3-vjeçare e ish-kreut të bandës së Durrësit mori fund mëngjesin e së enjtes në Spanjë ku ai kishte ndryshuar krejtësisht pamje.

Me kapele, syze optike, mjekër dhe tatuazhe, Berisha ishte i transformuar komplet nga imazhi i tij në listën e personave në kërkim.

Berisha u arrestua Madrid të Spanjës falë bashkëpunimit të policisë shqiptare dhe asaj spanjolle.

Në vitin 2020 Lulzim Berisha u shpall në kërkim nga SPAK për 2 vrasje të ndodhura në 2005-ën, atë të Vajdin Lames dhe Klodian Saliut, të cilat hetuesit i zbardhën me 15 vite vonesë. Më vonë çështja ndaj Vajdin Lames u pushua dhe vijonte vetëm për Klodian Saliun.

Përveç vrasjeve, emri i Lulëzim Berishës lidhet edhe me trafik ndërkombëtar droge, prostitucion dhe trafik armësh. Ai u arrestua më 6 prill të vitit 2006 për 10 akuza, mes të cilave krijimin e një organizate kriminale dhe një seri vrasjesh e atentatesh të kryera në vitet 98-99.

Më 16 janar të vitit 2012, Gjykata e Krimeve të Rënda të kohës e dënoi me burgim të përjetshëm për 6 vrasje, por Gjykata e Larta, në vitin 2014, rrëzoi dënimin me burgim të përjetshëm dhe vendosi dënimin me 25 vite burg për ish-kreun e bandës së Durrësit.

Lulzim Berisha u lirua me kusht në 5 dhjetor 2016, pas një vendimi të komplikuar të Gjykatës së Apelit Durrës, sipas të cilit ai përfitonte lirim të parakohshëm pasi kishte shlyer ¾ e dënimit prej 25 vitesh burg dhënë nga Gjykata e Lartë.

Por në 7 dhjetor 2021, Gjykata e Lartë, prishi vendimin e Gjykatës së Apelit Durrës, që i fali Lulzim Berishës më shumë se 6 vite burg, bazuar edhe në një dokument punësimi të lëshuar nga ish-kryebashkiaku Vangjush Dako.

Por më 27 maj të vitit 2022, ishte Gjykata Kushtetuese ajo që vendosi për rikthimin në burg të ish-kreut të Bandës së Durrësit, Lulzim Berisha, që duket se fshihej në Spanjë për t’ju shmangur përballjes me drejtësinë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit