Edhe pse për disa muaj u duk sikur çmimi i hidrokarbureve ishte stabilizuar në vend, tani në fund të vitit gjërat kanë ndryshuar.
Nëse deri para pak ditësh çmimi i naftës ishte 194 lekë/litri ose maksimumi 197 lekë/litri, tani çmimi e ka kaluar vlerën e 200 lekëve/litri.
Qytetarët të shqetësuar për këtë rritje çmimesh të paparalajmëruar dhe në fshehtësi totale, i janë drejtuar redaksisë tonë. Ata kanë treguar se rritja e çmimit të karburanteve ka nisur dhe për momentin, nafta ka vlerë 214 lekë/litri, ndërsa benzina 216 lekë/litri.
Por në një kohë që shteti nuk merr masa për rritje të tilla abuzive, përfaqësues të Shoqatës së Hidrokarbureve në vend paralajmërojnë rritje edhe më të madhe të çmimeve të karburanteve.
Ata thonë se shkak për këtë rritje që do vihet re në javët në vijim, është ulja e paralajmeruar e prodhimit të naftës së papërpunuar nga Arabia Saudite, Rusia dhe anëtarët e tjerë të OPEC+.
“Duhet patur parasysh se në çmimin final të karburanteve, 120 Lekë janë vetëm taksat dhe pjesa tjetër është çmimi real i karburantit. Dollari ka qënë në favorin tonë dhe na ka ndihmuar të mos rrisim çmimin e karburanteve, por situata gjeopolitike mes vendeve prodhuese dhe atyre eksportuese duket e tensionuar, duke u reflektuar me luhatshmërinë e çmimit të naftës në bursë. Në javën e ardhshmë do të duhet të blejmë sërish në treg dhe pritshmëritë janë që çmimi të rritet.”
