Mbrëmjen e sotme Shqipëria do të luajë ndaj Ishujve Faraoe, teksa interesi për ta ndjekur ndeshjen nga afër është i lartë. Një nga tifo-grupet që ka ndjekur me rregullsi kombëtaren kuqezi në rrugëtimin e saj në vite, ka qenë ai “Plisat”.
Po ndryshe nga herët e tjera grupi “Plisat” nuk do të jetë prezent në stadiumin e “Air Albania”, pasi nuk kanë mundur dot të gjejnë bileta. Për këtë fakt, ato fajësojnë politikën, ndërsa thonë “shihemi në Gjermani”.
“Plisat edhe një herë lajm. Nuk ka bileta. Por, sot nuk kemi kohë për lajmet tuaja. Plisat e kanë përfunduar misionin e tyre, ME SUKSES. Kur të gjithë ia kthyen shpinën kombëtares, ne ishim aty! Këta të njëjtit, të pandalshmit, të pashantazhueshmit, të vetmit, “kriminelat”, “tradhëtarët”… ne do të jemi gjithmonë aty. Pavarësisht ndërhyrjeve të politikës, e të kujtdo, do të jemi përherë e më të fortë.
Nuk ka bileta, nuk ka problem. Le të shkojnë sonte të tjerët për festë. Në fund të fundit Kombëtarja është e të gjithëve. Ne do të kthehemi përsëri, edhe në festa – edhe në ditë të vështira. Plisat janë në festë. Prishtina sonte feston. Feston sepse ajo frymon KUQ E ZI. Sepse KU KA PLISA OSHT’ SHQIPNI. Shihemi në Gjermani!”, shkruan grupi "Plisat" në faqen e tyre.