Siguria ushqimore vijon të jetë një problem madhor në vendin tonë. Rastet kur qytetarët blejnë produkte të skaduara, të mykura e me sende të çuditshme brenda tyre, fatkeqësisht sa vijnë e shtohen.
Së fundmi një qytetare i është drejtuar redaksisë tonë për të denoncuar një rast të ngjashëm në një market në Durrës.
Ajo thotë se marketi në fjalë ka vendosur një njoftim në raftin e miellit, për produktin "Ola" i cili ka rezultuar me probleme me sigurinë ushqimore. Edhe pse marketi njofton qytetarët për këtë problem dhe iu kërkon atyre të kthejnë produktet e blera, ajo që i bën çudi qytetares është fakti mielli vazhdon të shitet ende në market.
Ndërkohë, një tjetër gjë që të bën çudi edhe më shumë çudi është fakti se Autoriteti Kombëtar i Ushqimit nuk ka bërë asnjë njoftim në lidhje me produktin në fjalë dhe lotet që kanë dalë problematike.
Ditën e djeshme, AKU ka bllokuar dhjetra pako me miell dhe oriz në portin e Durrësit, pasi pas ekzaminimeve të bëra rezultuan se ishin me larva e insekte. Menjëherë pas kësaj, AKU bëri një njoftim në rrjetet sociale ku iu kërkonte konsumatorëve të cilët kishin blerë produktet vetëm nga këto lote, t’i kthenin ato pranë subjekteve të tregtimit ku i kanë blerë.
Në këto rrethana vihet në pikëpyetje puna e AKU-së pasi po luan hapur me shëndetin dhe jetën e qytetarëve shqiptarë. Bllokon disa mallra dhe kërkon kthimin e tyre, ndërsa për disa të tjerë si në rastin e "Ola" nuk ndihet fare me asnjë njoftim.
Denoncimi i qytetares:
JOQ pershendetje. Pash kte lajmin dhe doja te nisja dhe une nje foto per nje rast ne Durres. Kur po beja pazarin vura re kte njoftimin qe kishin nxjerre per disa produkte te miellit Ola qe paska rezultuar i rrezikshem per tu konsumuar. Ajo qe me beri habi ishte se pavarsisht ktij njoftimi, sic mund ta shohesh nga fotoja, ato produkte per te cilat konsumatoret ishin “lajmeruar” ti kthenin, vazhdojne te qendrojn aty ne shitje. Ne vend qe te zbrazeshe rafti, vazhdojn i mbajn produktet aty.
Njoftimi nga AKU:
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit pas marrjes së njoftimit, nga disa subjekte të cilat tregtonin produkte ushqimore si oriz dhe mielli misri i verdhë, që kanë rezultuar me dëmtues të produkteve në ruajtje, nga DRAKU Durrës janë kryer të gjitha verifikimet në terren. Nga kontrollet janë kryer 26 marrje mostre kontroll zyrtar, për produktet oriz dhe miell misri i verdhë, nga të cilat kanë rezultuar jokonform me prani të dëmtuesve të produkteve në ruajtje.
Për këtë arsye, AKU në vijim të masave të marra ka kryer bllokimin e produkteve me lotet e poshtë cituara dhe i ka lënë detyrë subjektit shpërndarës, për tërheqjen e të gjithë sasisë së produktit të shpërndarë në treg, që ka rezultuar me dëmtues të produkteve në ruajtje. Më konkretisht lotet si më poshtë:
1- Oriz Gold Blu 1 kg me nr. Loti: 1182 D2/D1, me datë skadence 30.10.2024
2- Miell Misri i Verdhë 400 g me nr. Loti: 781017, me datë skadence 30.01.2024
3- Oriz Gold Long Grain 1 kg me nr. Loti 27, me datë skadence 30.04.2025
AKU i bën thirrje konsumatorëve të cilët kanë blerë produktet vetëm nga këto lote, lutemi t’i kthejnë pranë subjekteve të tregtimit ku i kanë blerë.
