Shqipëria ka patur plot akademikë, profesorë dhe analistë mjaft të mirë të ekonomisë. Por çuditërisht prej vitesh asnjëri prej tyre nuk prononcohet në lidhje me një ndër vjedhjet më të mëdha që janë bërë Shqipërisë. Ndoshta nuk flasin sepse pjesa më e madhe e tyre i janë bashkangjitur politikës apo kanë marrë poste publike që u kanë mbyllur gojën.
Cila është vjedhja? E kemi fjalën për duopolin e kompanive të telefonisë celulare në Shqipëri. Por çfarë është duopoli? Kjo fjalë tregon se në një treg të caktuar operojnë vetëm 2 operatorë të cilët e shtrembërojnë tregun, siç është aktualisht rasti i Shqipërisë me Vodafone dhe One. Por si ndikon ky fakt në dëm të popullit të thjeshtë?
Në rastin e duopolit, kompanitë i vendosin çmimet e tyre në marrëveshje me njëra tjetrën duke zhdukur konkurrencën dhe duke “ia futur fort” konsumatorit final që jemi unë e ti. Shanset janë të mëdha që në një treg të tillë, dy operatorët të ofrojnë shërbime nën kosto fillimisht duke e bërë tepër të vështirë hyrjen në treg të operatorëve të tjerë. Më pas, për të rikuperuar humbjet e shitjeve nën kosto, këto kompani mund të risin artificialisht çmimet e paketave të tyre në shifra të larta duke rënduar së tepërmi xhepat e konsumatorëve të thjeshtë. Këta të fundit duke mos patur alternativa të tjera detyrohen të paguajnë çmimet e vendosura me marrëveshje nga duopoli.
Rritja artificiale e çmimeve sjell gjithashtu edhe mungesën e inovacionit dhe ofrimit të shërbimeve të reja e më të mira për abonentët, pasi duke mos patur konkurrencë, firmat në duopol nuk kanë asnjë interes të zhvillojnë më tej shërbimin. Në vitet 2005-2013 u kalua nga një operator shtetëror i vetëm në 4 kompani telefonike, ndërsa sot situata është tepër alarmante, duke përfunduar në një duopol prej vetëm dy firmash.
Situata është e rëndë pasi asnjë nga këta dy operatorë nuk ka asnjë interes të konkurrojë me njëri-tjetrin, si pasojë për konsumatorët shqiptarë nuk ka asnjë risi teknologjike dhe asnjë shërbim i përmirësuar, përveç tarifave më të larta. Mjafton të krahasojmë përshembull ofertat mujore në Itali me ato në Shqipëri për të parë se sa shumë paguajmë për shumë pak minuta, sms dhe internet krahasuar me Italinë apo vendet e tjera të BE.
Një duopol i tillë është rast thuajse unik jo vetëm në Europë por edhe në rajon. Kështu nëse analizojmë vendet e Ballkanit, shohim se Rumania dhe Sllovenia kanë 4 operatorë të telefonisë së lëvizshme. Bosnja & Hercegovina, Bullgaria, Kroacia, Greqia, Kosova, Mali i Zi , Serbia dhe së fundmi edhe Maqedonia e Veriut kanë secila nga 3 operatorë. Vetëm Shqipëria ka 2 operatorë, pra është në situatë duopoli.
Nga ana tjetër përgjegjësi në këtë mes ka edhe vetë Autoritetit i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) i drejtuar nga Tomi Frashëri. AKEP ka dështuar të mundësojë që Shqipëria të mos bjerë në kushtet e një duopoli, duke miratuar shitjen e ONE dhe ALBTELECOM tek e njëjta kompani mëmë, 4iG. Ngre mjaft pikëpyetje përshembull, fakti se përse sheti shqiptar lejoi që të zhdukej kompania AlbTelecom dhe nga tre operatorë të mbeteshin vetëm dy.
Sipas AKEP nuk gjendeshin probleme në këtë transaksion, pasi si ONE ashtu edhe ALBTELECOM nuk kishin kërkuar bashkimin e shoqërive por vetëm ndryshimin e aksionerëve, pavarësisht se aksioneri ishte i njëjti. Me pak fjalë një lojë fjalësh për të kamufluar rezultatin e vërtetë, pra krijimin e një kompanie të vetme dhe mundësimin e një duopoli në treg me vetëm dy kompani, ONE dhe VODAFONE.
E gjitha kjo, ka sjellë rrjepjen e përditshme të të gjithë shqiptarëve si nëpërmjet tarifave shumë më të larta se në rajon dhe Europë, ashtu edhe me mungesë shërbimesh cilësore si pasojë e mungesës së konkurrencës reale.