Ky është 37-vjeçari i vrarë në Sukth, Holanda e hetonte për trafik narkotikësh

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 27.09.2023, 17:04

Toni Dervishi, personi që shihni në foto është 37-vjeçari që u ekzekutua me automatik mbrëmjen e kaluar në Katund, Sukth.

Në momentin që ka ndodhur atentati, 37-vjeçari ka qenë duke lëvizur me një automjet bashkë me një pasagjer.

Pas kësaj ngjarje në orët e vona të mbrëmjes, policia ka shoqëruar 7 persona dhe mes tyre edhe pasagjeri me të cilin po udhëtonte viktima.

Ky i fundit nga verifikimet e deritanishme ka rezultuar se ka qenë hetuar në Holandë për trafikim të lëndëve narkotike.

Njoftimi i plotë i Policisë:

Sukth, Durrës

Në lidhje me ngjarjen e ndodhur rreth orës 23:45, të datës 26.09.2023, në Katund, Sukth, ku shtetas ende të paidentifikuar qëlluan me armë zjarri, në drejtim të automjetit që drejtonte shtetasi T. D. (M.), 37 vjeç, banues në Katund, Sukth, i cili si pasojë humbi jetën, në spital, ju informojmë se:

Sapo kanë marrë njoftim, shërbimet e Policisë së Durrësit dhe 2 grupe të FNSH, Tiranë, kanë mbërritur në vendngjarje dhe kanë ngritur pika kontrolli në të gjitha akset që lidhen me zonën, me qëllim kapjen e autorëve. Gjithashtu, grupi hetimor, i ngritur posaçërisht për zbardhjen e këtij rasti, ka vijuar punën, në drejtimin e prokurorit, për të fiksuar çdo provë që do të çojë në zbardhjen e ngjarjes dhe në identifikimin e autorëve.

Shërbimet e Policisë, në drejtimin e prokurorit, kanë kryer të gjitha veprimet hetimore dhe procedurale, për rastin. Konkretisht, deri më tani, në ambientet e Policisë, janë shoqëruar për t’u pyetur mbi rrethana të kësaj ngjarjeje, 7 shtetas (mes tyre shtetasi E. Sh., pasagjer në automjetin që drejtonte 37-vjeçari, në momentin e të shtënave), janë sekuestruar kamerat e sigurisë me pamje nga aksi rrugor “Maminas – Shijak – Sukth – Sallmone” (aksi që kishte ndjekur shtetasi T. D. (M.)), janë ushtruar kontrolle banesash, janë këqyrur celularë, si dhe është bashkëpunuar me ZQK Interpol Tiranën, për të identifikuar lidhje shoqërore të viktimës apo shtetas me të cilët mund të ketë pasur konflikte, jashtë vendit. Gjithashtu, janë sekuestruar automjeti që drejtonte T. D. (M.) dhe 2 celularët e tij, dhe vijon ekzaminimi i hollësishëm i tyre.

Nga verifikimet e deritanishme të kryera në koordinim me homologët holandezë, ka rezultuar se shtetasi T. D. (M.) ka qenë hetuar në këtë shtet, për trafikim të lëndëve narkotike.

Materialet për këto veprime procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për kryerjen e hetimeve të mëtejshme, me qëllim zbardhjen e dinamikës së kësaj ngjarjeje, për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit