Policia në Pejë njofton se nga 11 shtatori ka filluar aktivitetin e tyre me vetura zyrtare me pajisje inteligjente dhe se deri tani ka identifikuar disa vetura me regjistrim të skaduar.
Në njoftimin e bërë për media thuhet se ndaj shoferëve ka shqiptuar 3000 gjoba, transmeton Telegrafi.
“Dhe gjatë këtyre tri ditëve ka arrit ti identifikoi dhe të procedoi sipas ligjit mbi rregullat në komunikacion mbi 130 kundërvajtës, dhe atë për skadim te regjistrimit të automjeteve. Ndërsa në përgjithësi nga data 01.09.2023 e deri me datë 14.09.2023, njësia policore në fjalë dhe stacionet policore në kuadër të Drejtorisë rajonale të Policisë në Pejë, kanë shqiptuar rreth tremijë (3000) flet gjoba për kundërvajtësit në trafikun rrugor”, thuhet në njoftim.
Më tej, në njoftim thuhet se aktivitete dhe detyra të shumta policore, që janë të planifikuara në kuadër të Njësisë rajonale të komunikacionit rrugor në Pejë, do të vazhdojnë në mënyrë intensive në ditët në vijim, pa asnjë tolerim ndaj secilit kundërvajtës.
“Krejt kjo në të mirë të rregullimit të komunikacionit, si dhe parandalimit të aksidenteve. Pasi që gjatë muajve që kemi lënë pas aksidentet në komunikacion nuk ishin të paktë me ketë edhe dëmet, lëndimet trupore por edhe humbje jete. Drejtoria Rajonale e Policisë ne Pejë, apelon tek te gjithë pjesëmarrësit ne komunikacion te respektojnë rregullat dhe shenjat e komunikacionit”.