Një operacion i madh i karabinierëve çmontoi një rrjet trafiku droge, të vendosur në zonën e Milanos dhe në lidhje me Shqipërinë, i cili “ushqente” një treg droge që përfshinte të gjithë Italinë dhe arrinte deri në Zvicër.
Hetimi çoi në paraburgimin paraprak 24 persona: 2 italianë, 16 shqiptarë, 5 marokenë dhe një tunizian.
Hetimet nga karabinierët zbuluan se dy bandat shqiptare merreshin me shfrytëzim prostitucioni, si dhe grabitje dhe zhvatje.
Këto hetime u kryen në bashkëpunim me hetuesit zviceranë të cilët bënë të mundur zbulimin e dy bandave, në biznes me njëra-tjetrën dhe të kryesuara nga familja shqiptare, Lusha në Peschiera Borromeo dhe Goseni në Kologno.
Importimi i heroinës dhe kokainës i cili bëhej kryesisht nëpërmjet autobusëve, korrierëve dhe kamionëve nxiti një rrjet të trafikut të drogës në territorin italian dhe zviceran, i përbërë kryesisht nga trafikantët me origjinë nga Afrika e Veriut.
Më tej, nga disa përgjime telefonike dhe mjedisore, rezultoi se disa anëtarë të njërit prej dy grupeve, mes tyre edhe njeriu në krye të “Grupit Goseni”, menaxhonin në mënyrë të qëndrueshme dhe të organizuar një rrjet nxitjeje dhe shfrytëzimi prostitucioni. Bëhet fjalë për të paktën njëzet vajza nga Evropa Lindore që të detyruara, me kërcënime dhe dhunë prostituoheshin në apartamentet e menaxhuara nga organizata kriminale – veçanërisht në zonën Via Ripamonti të Milanos dhe të viheshun në dispozicion në faqet e takimeve online.
Të dyshuarit akuzohen edhe për grabitje dhe zhvatje ndaj vajzave. Përveç kësaj, ata kërcënonin vajzat që donin të hiqnin dorë nga prostitucioni me shpërndarjen e video-ve porno të tyre.