Presidenti serb Aleksandër Vuçiç duket se ka vendosur të mbrojë deri në fund presidentin Vladimir Putin dhe të refuzojë më çdo kusht vendosjen e sanskioneve kundër Rusisë për shkak të luftës në Ukrainë.
Deklarata e tij e prerë pas samitit në Shkup është pritur me eufori nga mediat ruse.
"Serbia është e pavarur në drejtimin e politikës së saj dhe vendimi për t’iu bashkuar sanksioneve kundër Rusisë nuk mund të vendoset nga jashtë", shkruan media ruse TASS, duke cituar deklaratën e presidentit serb.
Gazeta shkruan po ashtu se Serbia dhe Rusia nuk mund të ndahen nga njëra-tjetra pavarësisht presionit ndaj Beogradit zyrtar.
TASS kujton gjithashtu se më 28 gusht Vuçic u takua me ambasadorin rus në Serbi, Alexander Botsan-Kharchenko, kur ai theksoi se Beogradi po planifikonte një zhvillim harmonik të marrëdhënieve me Moskën.
Një tjetër media ruse shkruan se Perëndimi nuk e lejon Serbinë të blejë armë askund, madje as nga Lindja.