Erion Veliaj nuk rresht së bëri tendera. Vetëm se ka një problem. Tenderat e tij janë kryesisht të gjithë të dyshimtë. Duket se Veliaj gjen lloj-lloj objekte tenderash vetëm që të mjelë sa më mirë “lopën publike” që mban paratë e shqiptarëve.
Kësaj here “bingo” i ka rënë “ariut” të semaforëve, Barjam Dalipaj dhe kompanisë së tij I.D.K – KONSTRUKSION. Dalipaj rezulton të jetë një ndër përfituesit më të mëdhënj të tenderave për semaforë dhe sinjalistikë, kryesisht në Tiranë.
Erion Veliaj e ka dendur me para prej vitesh ndonëse për habi shumë rrugë në Tiranë nuk kanë sinjalistikën e duhur. Megjithatë kjo nuk e ka penguar aspak Veliajn të organizojë tendera të njëpasnjëshëm për sinjalistikë.
Rasti më i fundit është ai i procedurës me numër reference REF-74709-07-10-2023 dhe me objekt “Blerje materiale për mirëmbajtjen e rrjetit semaforik”. Fondi limit i kësaj procedure është llogaritur në vlerën 14,999,933 lekë të reja pa TVSH ose rreth 180 milionë lekë të vjetra me TVSH.
Por le të shohim dokumentacionin e këtij tenderi. Rezulton se kanë marrë pjesë vetëm dy firma por për habi është shpallur fituese ajo që ka dhënë ofertën më të lartë. Madje nëse do të shohim diferencën mes dy firmave është për të vënë duart në kokë.
Themi kështu pasi firma tjetër ka ofruar thuajse 1/3 e vlerës e përsëri nuk është marrë në konsideratë. Sigurisht nuk kishte si të ndodhte ndryshe pasi Veliaj e kishte paracaktuar që në fillim që fitues do të ishte vetë Barjam Dalipaj i I.D.K – KONSTRUKSION.
Ai ka ofruar 14,128,700 lekë të reja pa TVSH ose gati 170 milionë lekë të vjetra me TVSH. Ndërkohë dyshimet shtohen akoma më shumë kur shihet se vlera fituese është sa 94% e fondit limit.