Armela Krasniqi për të gjithë ata që nuk e njohin është kryetare e Autoritetit të Mediave Audiovizive. Zonja në fjalë duket se nuk i ka shpëtuar as ajo manisë së vjedhjes së parave të taksapaguesëve shqiptarë.
Jo se ka shkuar e maskuar dhe me ndonjë pistoletë në dorë për të vjedhur pula, por duke shfrytëzuar mundësinë e artë që i jep drejtimi i një institucioni. Mundësinë për të bërë një dorë lekësh nëpërmjet realizimit të tenderave të dyshimtë.
Tenderi në fjalë të cilin do t’ua paraqesim në vijim, është i denjë për SPAK. Megjithatë nuk dihet nëse prangat do t’i vihen në duar kësaj zonje të nderuar për vjedhje të taksave apo thjesht do të mbyllen të dy sytë nga ana e SPAK.
Konkretisht institucioni i drejtuar nga Armela Krasniqi, ka organizuar një tender që mban si reference numrin REF-75320-07-17-2023. Objekti i tenderit është Automatizimi i proceseve të AMA dhe ka si fond limit shifrën prej 33,233,333 lekë të reja pa TVSH ose rreth 400 milionë lekë të vjetra me TVSH.
Por nëse shfletojmë dokumentacionin e këtij tenderi vihet re se kemi të bëjmë me një rast të pastër të mungesës së konkurrencës. Në tender ka marrë pjesë vetëm një firmë, përkatësisht INET në pronësi të Erton Graceni.
Ky i fundit është përmendur në media në rastin e skandalit të “Pandora Papers”, ku politikanë dhe biznesmenë të ndryshëm duke investuar në kompani “offshore” jashtë vendit, shmangnin detyrimet tatimore.
Graceni jo vetëm që nuk u hetua, por ka marrë një sërë tenderash mes tyre edhe nga Veliaj. Së fundmi është fitues pa garë i plot 400 milionë lekëve të vjetra me TVSH nga Armela Krasniqi e AMA-s. Për të përforcuar dyshimet se fituesi i tenderit të AMA-s ka qenë i paracaktuar mjafton të shohim se vlera e ofruar prej tij është sa 99% e fondit limit.