Adriatik Zotkaj siç mund ta dini, është aktualisht Kryetari i Bashkisë së Poliçanit. Ndonëse Poliçani nuk klasifikohet si qytet i madh, “proçkat” duket se i bën në të njëjtat nivele. Rezulton se kjo bashki e drejtuar nga kryetar Tiku, ka dhënë plot 1.2 miliardë lekë të vjetra nëpërmjet një tenderi tepër të dyshimtë.
Bëhet fjalë për një procedurë prokurimi që mban numrin e referencës REF-74346-07-05-2023 dhe ka për objekt “Rikonstruksioni i shkollës 9 vjeçare "70 Vjetori i Pavarësisë" dhe sistemimi i jashtëm i gjithë kompleksit Arsimor".
Për këtë tender bashkia ka menduar që të vërë në dispozicion një fond limit në vlerën 100,000,000 lekë të reja. Por përse themi se Zotkaj ka abuzuar me këtë tender? Sepse nëse shfletojmë dokumentacionin e këtij tenderi, faktet flasin qartë.
Kështu vihet re se në tender janë paraqitur me ofertat e tyre 4 kompani. Nga këto, njëra ka marrë pjesë por ka ofruar zero lekë. Është e pakuptueshme se përse dikush duhet të hyjë në një garë dhe të ofrojë vlerë zero, përveçse në rastin kur fituesi është caktuar që në fillim dhe ka nevojë për pjesëmarrës sa për numër.
Aspekti i dytë i dyshimtë është fakti se nga tre firmat e mbetura, fituese u shpall ajo me ofertën më të lartë. Madje nëse bëjmë një krahasim mes ofertës fituese dhe ofertës më të ulët, diferenca shkon në gati 270 milionë lekë të vjetra përfshirë TVSH. Kjo mjafton për të kuptuar fare qartë se çfarë ka kurdisur Adriatik Zotkaj në këtë tender.
Përfundimisht, fituese është shpallur kompania BASHKIMI/L në pronësi të Ylli Zdrava, Dashnor dhe Kastriot Sinanaj. Vlera e ofruar prej tyre është 98,417,338 lekë të reja pa TVSH ose rreth 1.2 miliardë lekë të vjetra me TVSH. Dyshimet për abuzim i shton më tej edhe fakti se vlera fituese rezulton të jetë sa 98.4% e fondit limit të tenderit.