Manastirliu vazhdon vjedhjet, 700 MLN pa garë për Orjada Jaho dhe Ermal Rizaj

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 02.09.2023, 21:32

Përtej daljeve të shpeshta në publik sikur po ndërton mjedise të reja spitalore, Ogerta Manastirliu nuk harron të fusë duart prej hajduti profesionist ku të mundet. Tenderat në shëndetësi janë shndërruar në një gropë thithëse të vërtetë në buxhetin e shtetit e megjithatë SPAK duket se mbyll sytë para Manastirliut.

Në rastin më të fundit do t’ju paraqesim një tjetër abuzim me tenderat në shëndetësi. Bëhet fjalë për procedurën me numër reference REF-74089-07-03-2023 që ka si objekt: “Blerje sete kirurgjikale për shërbimet mjekësore”.

Tenderi është organizuar nga Spitali Rajonal “Memorial” Fier dhe ka si fond limit shifrën prej 58,331,635 lekë të reja pa TVSH ose gati 700 milionë lekë të vjetra me TVSH. Nëse shikojmë dokumentacionin shoqërues të kësaj procedure, dalin në pah vjedhjet e Ogerta Manastirliut. Shikohet se në të ashtuquajturën garë kanë marrë pjesë vetëm dy kompani.

Këtu fillon dhe skandali. Njëra prej tyre, ndonëse është një ndër firmat që ka fituar shumë tendera në shëndetësi, për habi ka ofruar zero lekë. Kjo tregon fare qartë se fituesi është zgjedhur me marrëveshje dhe se pjesëmarrja e firmës së dytë ka qenë sa për sy e faqe, për të thënë se gjoja ka patur konkurrencë.

Ndërkohë firma tjetër që natyrisht ka qenë e projektuar që në fillim për të fituar, ka ofruar vlerën 58,199,800 lekë të reja pa TVSH ose rreth 700 milionë lekë të vjetra përfshirë TVSH. Kjo firmë është njëra prej atyre që kanë “kullufitur” më shumë para nga të gjithë në tenderat e mjekësisë.

Bëhet fjalë për O.E.S DISTRIMED në pronësi të Orjada Jaho dhe Ermal Rizaj. Nga ana tjetër nëse krahasojmë vlerën fituese me fondin limit të tenderit del se është sa 99.8% e tij. Të gjitha sa më sipër shtojnë fort dyshimet se kjo është vjedhja e radhës që Ogerta Manastirliu i bën buxhetit te shtetit, pa i hyrë gjemb në këmbë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit