Shqiptari në Itali: Këtu s’njihet certifikata nga e-Albania, thonë s’kemi marrëveshje me Shqipërinë

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 29.08.2023, 20:49

Me vendim të Qeverisë, shumë shërbime që qytetarët më parë i merrnin në komuna e bashki, tani kanë kaluar në platformën qeveritare e-Albania.

Por edhe kjo platformë që Rama thotë se lufton korrupsionin e radhën e pritjes, ka plot probleme.

Një shqiptar që jeton në Itali i është drejtuar redaksisë tonë për të denoncuar problemin e radhës me të cilin po përballet për shkak të e-Albania.

Ai thotë se certifikata martesore që ka marrë nga e-Albania me vulë dixhitale nuk i është njohur nga autoritetet italiane.

Shqiptari që është rezident në Itali thotë se certifikata e tij ka qenë me vulë dixhitale, apostile dhe e noterizuar, por sërish nuk është pranuar nga bashkia ku ai jeton.

Ai thotë se në bashki i kërkojnë certifikatë me vulë jo dixhitale pasi kjo është e vetmja mënyrë që mund të njihet nga autoritetet italiane. Atij i është komunikuar se deri më tani nuk ka asnjë lloj marrëveshje mes Shqipërisê dhe Italisë për njohjen e dokumenteve me vulë dixhitale.

Për këtë arsye ai kërkon një sqarim nga autoritetet shqiptare pasi nuk di çfarë të bëjë në një kohë që në Shqipëri s’merr dot certifikatë me vulë të “njomë”.

Denoncimi i shqiptarit:

Përshëndetje! Doja të shtroja me një problematikë që na ka dalur ktu në Itali me certifikatat që i marim me e albania. Më saktë nëse është e mundur me anë të rrjetit tuaj të gjerë të na ndihmoni e sqaroni.

Bëhet fjalë saktësisht për certifikatën martesore të cilën nuk merret më dorazi në gjendje civile e firmosur dhe me vulë të njomë, por nga aplikacioni e albania e cila ta lëshon me vulë dixhitale.

Tani un bëra aplikimin si shumë të tjerë, e noterizova dhe e legalizova me vulë apostile. U paraqita ne bashki ku jam rezident ne Itali me certifikatën dhe ato nuk ma pranuan për shkak se nuk njohin vulën dixhitale dhe e duan te lëshuar nga gjendja civile me firmë e vulë të njomë, plus apostilen dhe noterizimin.

Ato thonë se nuk ka marrëveshje mes dy shteteve ku thuhet se certifikatat dixhitale nga e albania pranohen në bashki. Deri më sot nuk kanë marrë asnjë lloj komunikimi rreth ksaj kshu që ato vazhdojnë të veprojnë sipas protokollit tyre.

Ne gjendje civilë thonë që nuk i bëjnë më certifikatat se shteti ka ndryshuar procedurat. Do donim një sqarim për këtë situatë për të gjithë ne shqiptaret që jetojmë në Itali apo edhe shtetet tjera.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit