Pirro Vengu i Portit Durrës duket se ka gjetur parajsën në institucionin që drejton. Prej kohësh në krye të Autoritetit Portual Durrës, Vengu është shndërruar në një organizator dhe përfitues perfekt i tenderave të dyshimtë.
Të shumta kanë qenë artikujt denoncues për tenderat e organizuar prej tij në Portin e Durrësit por për habi asnjë masë nuk është marrë as nga SPAK e as nga autoritetet e tjera. Kjo gjë natyrisht i ka lënë rrugë të hapur Pirro Vengut që të procedojë i qetë e pa shqetësime me tenderin abuziv të radhës.
Në rastin konkret sot do të shohim një procedurë që mban numrin e referencës REF-75377-07-18-2023 dhe ka si objekt “Marrje me qira automekanizma për nevoja operacionale”. Tenderi në vetvete ka si fond limit shifrën prej 10,000,000 lekë të reja pa TVSH ose rreth 120 milionë lekë të vjetra me TVSH.
Por le të “hapim letrat”. Duke parë dokumentacionin e kësaj procedure vihet re se ka marrë pjesë vetëm një kompani. Pra jemi në kushtet e një mungese totale të konkurrencës. Në garë ka marrë pjesë vetëm kompania ALBANIAN STEVEDORING COMPANY (ASC) e cila rezulton të jetë në pronësi të Luis dhe Lorin Hoxha.
Oferta e saj ka qenë 9.705.120 lekë të reja pa TVSH ose rreth 115 milionë lekë të vjetra me TVSH. Duket se Pirro Vengu e ka ndarë mendjen që në fillim se cila kompani do të shpallej fituese. Këtë e përforcon akoma më tej edhe fakti se vlera fituese e tenderit është sa 97% e fondit limit.
Ndërkohë SPAK duket se nuk ka aspak ndërmend të hetojë bëmat e Pirro Vengut i cili vazhdon i qetë të bëjë “punën e mirë” me tenderat.