Ditën e sotme policia ka vënë në pranga një 39-vjeçar i cili përmes mashtrimit ka përvetësuar shuma të mëdha parash, pasi u premtonte tendera biznesmenëve të ndryshëm.
Ky 39-vjeçar i arrestuar është shtetasi Indrit Aliu (Kolleshi) i dënuar edhe më parë për të njëjtën vepër penale. Aliu duke u prezantuar si zyrtar i lartë iu premtonte biznesmenëve tendera në Ministrinë e Infrastrukturës në lidhje me minierat dhe ndërtimin.
Por njëri prej këtyre biznesmenëve kishte dyshuar te 'puna' e 39-vjeçarit dhe ka kallëzuar rastin në polici. Hetimet kanë zbuluar se 39-vjeçari për t'u dukur sa më serioz dhe i besueshëm në 'aktivitietin' që kryente kishte hapur edhe një zyrë pune. Në cilësinë e provës materiale policia ka sekuestruar 2 aparate celulare, kontrata dhe dokumente të ndryshme të cilat autori i dyshuar i përdorte për skemën e tij të mashtrimit.
Indrit Aliu i ishte rikthyer kësaj 'pune' dy vite pasi doli nga burgu ku ishte akuzuar për të njëjtën vepër penale. Në nëntor të vitit 2009, Indrit Aliu u arrestua në Greqi, pasi ishte shpallur në kërkim pas dhjetëra kallëzimeve në emër të tij në Prokurorinë e Tiranës nga biznesmenë të ndryshëm, të cilëve u kishte “zhvatur” rreth 4 milion euro.
Gjykimi ndaj tij nisi në korrik të vitit 2010, pak muaj pasi u ekstradua nga shteti grek. Dhe në vitin 2011 ai u dënua me heqje lirie.