Ndryshimet politike, ekonomike dhe demografike kanë ndikuar në numrin e popullisisë së Shqipërisë ndër vite.
Sipas të dhënave zyrtare nga EUROSTAT, Shqipëria renditet ndër shtetet që kanë humbur më shumë popullsi që pas viteve ’90.
Të dhënat tregojnë se në vitin 2023, në krahasim me vitin 1990, popullsia në Shqipëri është reduktuar me 15.1%, duke zbritur në 2,761,785 banorë, nga 3,254,541 që ishte para fillimit të emigracionit dhe plakjes së popullsisë.
Këto shifra e rendisin Shqipërinë në vendin e pestë në Evropë (pa përfshirë vendet e ish Bashkimit Sovjetik) për ritmet e larta të reduktimit të popullsisë.
Bullgaria mban vendin e parë në Evropë me një rënie të popullsisë me 26.4%, që nga 1990-a. Në vendin e dytë renditet Bosnje Hercegovina, me 22.4%. E treta është Kroacia, me rënie 17.9% dhe e katërta Rumania me 17.9%.
Ndërkohë që në Evropën Lindore popullsia është ulur, në atë perëndimore ka patur një rritje masive të popullsisë për shkak të fluksit të emigrantëve.