Blerja e pajisjeve elektroshtëpiake dhe elektronike është një stres më vete për familjet shqiptare pasi ato janë të kushtueshme dhe rëndojnë shumë në buxhetin e tyre.
Sipas të dhënave zyrtare nga EUROSTAT, Shqipëria edhe pse është një ndër vendet më të varfra në Evropë për të ardhurat, çmimet e këtyre produkteve i ka më të shtrenjta se shumë vende të tjera.
Kështu në vitin 2022 në Shqipëri pajisjet elektroshtëpiake(lavatriçe, soba, furra, mikrovalë) kushtonin sa 122% e mesatares europiane. Kjo do të thotë se nëse një pajisje kushton në Evropë mesatarisht 100 euro, në Shqipëri është 122 dhe në shumë raste me cilësi të dobët.
Në vendin e parë për çmimet më të larta renditet Islanda me 130.6% të mesatares europiane, Malta 128.%, Norvegjia 124% dhe Shqipëria e katërta me 122% të mesatares.
Ndërkohë që në rajon këto pajisje shiten shumë më lirë se në Shqipëri, pasi në Maqedoninë e Veriut çmimet janë sa 95.3% e mesatares së BE-së, në Mal të Zi 96.3%, në Bosnjë 101.4%.
Edhe për pajisjet elektronike(televizorë, DVD, kamera, kompjutera, laptopë), Shqipëria ka çmimet më të larta. Ato kushtojnë 21.7% më shumë sesa mesatarja europiane dhe këtu renditemi të dytët pasi vendin e parë e mban Islanda, me 139.6% të mesatares.
Ndërkohë që Turqia dhe Italia kanë çmimet më të lira për këto pajisje.