“Nuk kthehem te Barça, do të shkoj te Inter Majemi”, ishte fjalia e parë e Messit në mbrëmjen e djeshme dhe kaq u desh që i gjithë rrjeti të shpërthente për zgjedhjen e kampionit të botës, që refuzoi mbi 1 miliardë euro nga Arabia, por edhe Barcelonën. Në lidhje me këtë të fundit, Messi ka sqaruar arsyen përse nuk u kthyer, duke folur mes dyshimesh të mëdha.
“Kisha shumë dëshirë që të kthehesha te Barcelona, por nga ana tjetër, pas atij largimi që përjetova, nuk desha që të kthehesha përsëri në të njëjtën situatë, që të shpresoja çfarë do të ndodhte dhe që të lija të ardhmen time në dorë të tjetërkujt. Edhe pse dëgjova që LaLiga ka pranuar gjithçka dhe që kushtet ishin gati që të kthehesha, njëkohësisht mungonin shumë gjëra të tjera, që duhej të ndodhnin.
Dëgjova që duhej të shisnin lojtarë, të ulnin rrogat e disa të tjerëve dhe në të vërtetë nuk desha që të kaloja këtë situatë dhe të bëhesha pjesë e këtyre gjërave. Në të vërtetë kam folur shumë pak me presidentin Laporta, një apo dy herë. Me Xavin kam më shumë komunikim, që kur u kthye në klub shumë më tepër dhe vazhdimisht. Folëm për mundësinë që të kthehesha.
Kishim shumë dëshirë që të realizohej, folëm nëse do të ishte e mirë për ekipin dhe për të. Nuk kemi folur për para, asnjëherë nuk ishte çështje e tillë. Nuk ka pasur kurrë një ofertë zyrtare, të firmosur, pasi nuk dinin se sa mund të ofronin. Po të ishte për para, do të shkoja në Arabi. Ishin shumë para dhe e vërteta është që vendimi im është për një anë tjetër, jo për para.
Në të vërtetë, sinqerisht nuk di të them nëse Barcelona ka bërë maksimumin apo jo. Unë dija për atë që flisja me Xavin, më shumë se me të gjithë. Tani flitet edhe për leje nga Liga. Por po e përsëris që nuk ishte vetëm kjo. Mungonin shumë gjëra. Sot për sot, klubi nuk është në gjendje të thotë 100% që mund të kthehem. Dhe është e kuptueshme për shkak të situatës”, tha Mesi kur u pyet në lidhje me refuzimin e Barcelonës.
Ndërkohë, pas kësaj interviste klubi katalanas ka dalë në një komunikatë zyrtare, duke përgënjeshtruar në një farë mënyre pretendimin e Messit se nuk ka pasur asnjë propozim zyrtar të klubit në drejtim të tij. Barcelona shkruan se Messit i ishte paraqitur një propozim nga presidenti Laporta.
“Të hënën, më 5 qershor, Jorge Messi, babai dhe përfaqësuesi i lojtarit, informoi presidentin e klubit, Joan Laporta, për vendimin e futbollistit që t’i bashkohet Inter Miamit, pavarësisht se i ishte paraqitur një propozim nga Barça, duke marrë parasysh dëshirën e Barcelonës dhe Lionel Messit që ai ta veshë edhe një herë fanellën blaugrana.
Presidenti Laporta e kuptoi dhe e respektoi vendimin e Mesit që dëshironte të garonte në një ligë me kërkesa më të vogla, shumë larg qendrës së vëmendjes dhe presionit që e ka pasur në vitet e fundit.
Joan Laporta dhe Jorge Mesi po ashtu u pajtuan që të punojnë së bashku për të promovuar përshëndetjen e duhur nga tifozët e Barçës, për ta nderuar futbollistin që gjithmonë ka qenë, është dhe gjithmonë do të jetë i dashur nga Barça”, shkruhet në komunikatën e Barcelonës.