E refuzoi para disa vitesh/ Igli Tare rikthehet sërish në orbitën e Milanit, mund të pasojë Maldinin

Shkruar nga: Bardh Kodheli | Publikuar më: 07.06.2023, 10:39

Me shkarkimin e Paolo Maldinit te Milani dhe largimin e Igli Tares nga Lazio, duket se ish-sulmuesit të Kombëtares i ka ardhur mundësia e dytë në jetë për të firmosur me kuqezinjtë, të cilët vetëm para pak vitesh i refuzoi dhe vendosi të qëndronte besnik ndaj Lazios dhe Lotitos.

Mediat italiane raportojnë se Igli Tare është një opsion shumë i mundshëm për të marrë frerët e merkatos së Milanit, në kushtet kur kuqezinjtë nuk kanë shumë për të shpenzuar dhe Tare shquhet për të menaxhuar të tilla situata, pasi e ka bërë këtë shumë mirë te Lazio për 18 vite.

Kalimi te Milani, për Taren padyshim do të ishte një kapërcim në karrierë, pasi kuqezinjtë janë një klub me më shumë histori dhe me pretendime akoma më të mëdha, sidomos pas arritjes deri në gjysmëfinale të Championsit në këtë sezon, ku janë siguruar të ardhura të konsiderueshme.

Gjithsesi, Milani nuk është klubi i vetëm, që kërkon ndihmën e Tares për merkaton, pasi në drejtim të tij kanë shkuar shumë propozime, teksa mbetet për tu parë nëse ish-sulmuesi i Kombëtares do të vendosë të qëndrojë pushim apo do të nisë menjëherë punën diku tjetër.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit