Kur harton buxhetin vjetor, në fondin total të përcaktuar qeveritarët ndajnë para për secilin zë. Por, këto para vidhen rrugës dhe nuk shkojnë atje ku ishin përcaktuar. Kështu, referuar të dhënave zyrtare nga Ministria e Financave, rezulton se qeveria qendrore dhe ajo vendore kanë rritur stokun e borxhit ndaj qytetarëve dhe bizneseve me rreth 565 milionë lekë.
Në fund të muajit Mars 2023 ka arritur në afro 12.8 miliardë lekë, ndërsa në vitin që lamë pas ishte 12.2 miliardë lekë. Pra vetëm në 3 muaj, 6 miliardë lekë kanë ‘avulluar’ dhe nuk janë investuar tek qytetarët, sikur iu premtohet në hartimin e buxhetit.
Sipas këtyre të dhënave, borxhet më të mëdha i takojnë zërit të investime, ku bëhet fjalë për projekte të punëve publike për të cilat ende nuk janë bërë pagesat ndaj kompanive dhe që detyrimet arrijnë në vlerën e 4.43 miliardë lekë. Në këtë pikë peshën më të madhe e mbajnë bashkitë.
Sigurisht, sepse hapin tendera sa për fasadë dhe nuk kanë para që të investojnë realisht në këto projekte.
Në vendin e dytë për nga pesha që zënë në stokun total të detyrimeve të prapambetura renditen vendimet gjyqësore, të cilat regjistrohen në 3.5 miliardë lekë dhe kanë të bëjnë kryesisht me largime të padrejta nga puna në administratën publike apo çështje të hapura kundrejt shtetit shqiptar.