Policia e Shtetit po luan kukafshehti me arrestimin e Vangjush Dakos. Me urdhër të Met Rrumbullakut, hyrja e Drejtorisë së Policisë së Tiranës është vendosur një mbulesë për t'u bllokuar fushëpamjen e mediave. Mendohet se ish-kryebashkiaku i Durrësit ndodhet në Tiranë pranë kësaj drejtorie dhe pritet që të dali me pranga nga ky institucion, njësoj si Lefter Koka e Alqi Bllako që hynë muaj më parë me këmbët e tyre në atë godinë.
Po përse po e ruan Policia imazhin e Gjush Dakos? Ish-kryebashkiaku i Durrësit është një nga miqtë e ngushtë të Ramës, për të cilin kreu i qeverisë shprehu keqqardhje për arrestimin e tij. Burime jo zyrtare tregojnë se Rama e ka mbrojtur Dakon deri në atë pikë sa shkarkoi disa zyrtarë të lartë, të cilët kërkonin arrestimin e tij.
Po ashtu Gjush Dako ka një ndikim të madh në Durrës dhe në politikëbërje. Përgjimet e "Bild" tregojnë për një bisedë të Vangjush Dakos dhe Astrit Avdylaj, i njohur si kreu i bandës së Shijakut. Pra, Dako pas vetes duket se ka dhe qeverinë dhe grupet kriminale, të cilat po kujdesen që mos të dokumentohet asnjë provë nga arrestimi i tij.