Prej gati 3 javësh në terminalin e kontejnerëve në portin e Durrësit vijon të ketë vonesa të gjatë në shkarkimin në port të anijeve. Situata vazhdon të jetë e njëjtë dhe kjo po sjellë shumë probleme për drejtuesit linjave detare.
Sot, ata ngrenë shqetësimin se vonesat po shkaktohen nga mungesa e mjeteve të ngarkim-shkarkimit dhe produktivitetit të tyre, për rrjedhojë po shtohen kostot për ta dhe furnitorët.
Për këtë arsye. 5 kompanitë e linjave detare, një letër drejtuar kreut të autoritetit Portual Durrës (APD) Pirro Vengu, ministres së Infrastrukturës dhe Energjetikës (MIE) Belinda Balluku dhe kryeministrit Edi Rama ngrenë shqetësimin e kostove shtesë.
Operatorët theksojnë se e gjitha kjo vjen për shkak të pamjaftueshmërisë së mjeteve të ngarkim-shkarkimit, por edhe të papaërgjegjshmërisë nga ana e APD dhe koncensionarit. https://opencorporates.al/sq/nipt/L31804506A
Ata kërkojnë nga qeveria që të kompensohen për kostot shtesë, por edhe për pagesat që iu bëhen nën dorë. Duke theksuar se dtafi i koncesionarit i vonojnë tek skaneri për shkak se i marrin para, në skaner duhet të hyjnë vetëm ata që janë të dyshimte jo të gjithë.
Letra e operatorëve:
“Në shumicën e kohës që ne evidentojmë dhe ju paraqesim problemin APD bën fajtor operatorin e shërbimit “Mariner Adriatic”, ndërsa ky fundit na komunikon gjendjen problematike të vinçave dhe mjeteve të ngarkim-shkarkimit. Përfundimisht, ngelemi pa zgjidhje”, theksojnë operatorët në letër.
Shërbimi për përpunimin e anijeve në terminalin e kontejnerëve prej muajit mars 2021 funksionin me koncesion nëpërmjet “Hili Company Limeted” e përfaqësuar në Shqipëri nga filiali “Mariner Adriatic” për një afat 5 vjeçar. Kompania koncesionare është përgjegjëse vetëm për mirëmbajtjen e mjeteve që përdoren për shkarkimin e anijeve, pasi asetet infrastrukturore dhe pajisjet sipas parashikimeve të kontratës koncesionare janë transferuar nga autoriteti kontraktor APD tek kontraktori “Mariner Adriatic”.
Më herët shërbimi në terminalin e kontejnerëve administrohej nga kompania turke “Durrës Container Terminal” e cila kishte nënshkruar me qeverinë shqiptare në 2011 kontratën koncesionare me afat 30 vjeçar. Në 2018 qeveria kërkoi anulimin e koncesionit, duke hapur çështje gjyqësore, pasi koncesionari nuk kishte përmbushur kushtet. Për përfundimin e kontratës kompania turke i është drejtuar Gjykatës së Arbitrazhit. Pas një periudhe që shërbimi u menaxhua nga APD, gara për tenderin ndërkombëtar u fitua nga kompania malteze “Hili Company Limeted”.
Sipas përllogaritjeve të operatorëve detarë aktualisht rënia e produktivitetit të koncesionarit “Mariner Adriatic” në 22 deri 23 kontejnerë në orë krahasuar në një sasi prej 30 kontejnerë në orë që ishte produktiviteti përpunues i kompanisë së mëparshme koncesionare turke, “Durrës Container Terminal” ka shtuar 500 orë pritjet e anijeve për shkarkim.