Rusia i jep “urdhër” Serbisë: Dërgoni ushtrinë në Kosovë

Shkruar nga: A Koci | Publikuar më: 30.05.2023, 21:27

Zyrtarët e lartë të Rusisë po nxisin Serbinë të përshkallëzojnë tensionet në Mitrovicën e Veriut. Ndonëse serbët po dhunojnë ushtarët e KFOR-it, gazetarët dhe këdo që u del para, sërish Rusia nuk është e kënaqur me dhunën ndaj shqiptarëve. Këtë herë nxitja është bërë nga përfaqësuesi i përhershëm i Rusisë pranë organizatave ndërkombëtare në Vjenë, Mihail Uljanov. Ai i ka kujtuar Serbisë konventat europiane për të drejtat e reagimit në rast të tensioneve civile apo politike.

“Për shkak të situatës aktuale në Kosovë dhe Metohi, do të ishte e dobishme të kujtojmë se në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Beogradi rezervon të drejtën për të kthyer një numër të kufizuar të policëve dhe ushtarëve të tij në atë rajon”, tha ai.

Më herët ka qenë ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, i cili ka paralajmëruar një "shpërthim" në zemër të Europës. Një deklaratë me sinjale të qarta se Mitrovica e Veriut mund të jetë baza e radhës e një lufte të mundshme. Zyrtarët e lartë rusë me gjuhën e tyre po inkurajojnë serbët që të jenë më agresivë në kërkesat e tyre të padrejta.

Duket se këto mesazhe janë marrë nga serbët, të cilët kanë vënë në lëvizje disa helikopterë të ushtrisë që patrullojnë në kufi me Kosovën. Në reagim të kësaj situate ka qenë edhe NATO, duke paralajmëruar dërgimin e disa trupave për të ulur tensionet dhe për të shmangur çdo përplasje civile apo ushtarake.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit