Lirohet nga burgu Abdylfeta Alimi

Shkruar nga: B Hasi | Publikuar më: 30.05.2023, 13:03

Sot ka përfunduar masa e burgut për ish-sigurimin e Kuvendit, Abdylfeta Alimi njëherësh personi i cili më 27 prill të vitit 2017 kishte shpëtuar Ziadin Selën i cili ishte cak i sulmit të protestuesve të dhunshëm.

Gjatë daljes nga Burgu i Idrizovës, Alimi është pritur nga Ziadin Sela, i cili në një prononcim para mediave sërish e falënderoi Alimin për siç tha, që ia kishte shpëtuar jetën.

Alimi vuajti 6 vite e dy muaj burg nën akuzën për bindje ndaj urdhrit të paligjshëm dhe mos veprim, përkatësisht akuza e tij kryqëzohej me veprimet e dy ish-deputetëve të OBRM-PDUKM-së, Kërsto Mukoski dhe Sashe Vasilevski të cilët kishin hapur portat kryesore të Kuvendit duke i mundësuar hyrjen e protestuesve të dhunshëm në Kuvend. Alimi u përfshi në akuzë edhe pse dispozitat ligjore përcaktojnë qartë se sigurimi i Kuvendit (polici) nuk ka të drejtë të ndërmerr veprime kundër deputetëve.

Gjatë kohës kur u shpall urdhër arresti ndaj tij, Alimi ndodhej jashtë shtetit, ndërsa para organeve të ndjekjes penale u paraqit vullnetarisht.

Gjykata kishte paraparë se dënimi ndaj tij meriton shkallë më të lartë, por për shkak të veprimit human (në shpëtimin e jetës së Selës) trupi gjykues kishte konsideruar në zvogëlimin e masës efektive duke i caktuar 7 vite burg efektiv.

Gjatë periudhës së paraburgimit, familja e Alimit kishte ofruar garanci bankare pronat e tyre, ndërsa kësaj garancie i ishte bashkuar edhe prona e familjes së ministrit të Drejtësisë, Krenar Lloga.

Gjatë faljeve vjetore të Presidentit, Alimi u fal nga kreu i shtetit me 8 muaj. Ai asnjëherë nuk kërkoi amnisti dhe nuk pranoi të përfshihet në të duke konsideruar dhe besuar në pafajësinë e tij.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit