Të rinjtë shqiptarë po shkollohen për t’i shërbyer Gjermanisë dhe jo vetëm. Ky është bilanci që mund të nxjerrësh nëse sheh statistikat se cilat degë zgjedhin shumica e studentëve të rinj. Megjithëse numri total i studentëve në Shqipëri ka pësuar rënie me 13% nga periudha 2018-2019 deri në 2022-2023, ka rritje të ndjeshme të studentëve në degët, ku mund të gjesh punë lehtë në emigrim.
Gjithnjë e më shumë të rinj po u drejtohen degëve të mjekësisë. Sipas INSTAT, numri total i studentëve u tkurr me 17,700 që nga viti 2019 me rënie 12.7%, por nga ana tjetër, më shumë të rinj zgjodhën degët në fushën “Shëndet dhe mirëqenie”. Këtë vit akademik në degët e mjekësisë janë studiojnë plot 22,834 persona, që përbën një numër më të lartë se nevoja e tregut të brendshëm, por ky nuk është qëllimi i të rinjve, pasi ata lakmojnë vendet e zhvilluara.
Madje, pavarësisht se dalin shumë studentë nga bankat e shkollës, vendi ynë ka mungesë të theksuar mjekësh në shumë sektore. Madje ajo çka e bën akoma më të theksuar dëshirën për të emigruar është se krahas shkollës, studentët e mjekësisë që në vit të parë regjistrohen në kurse të gjuhës gjermane për të mësuar këtë gjuhë dhe për të qenë gati për emigrim.
Për tu theksuar se degët e inxhinierisë dhe shëndetësisë janë të vetmet që kanë shënuar rritje në këto vite, teksa çdo sektor tjetër nuk është preferuar me të njëjtin nivel nga studentët. Në katër vitet e fundit, rënia më e madhe e numrit të studentëve ishte në “Arte dhe shkenca humane” me 45% ndërmjet 2019 dhe 2023.
Më tej në degët “Shkenca natyrore, matematikë dhe statistikë” numri i studentëve ra me 43% për të njëjtën periudhë. Studentët në degët e bujqësisë zënë vetëm 2.5% të totalit të studentëve, ndërsa ata në fushat e shëndetësisë, rreth 18% e totalit të studentëve. Në degët “Bujqësi, pyje, peshkim dhe veterinari”, që është edhe dega kryesore e ekonomisë, që kontribuon në rreth 19% të PBB-së dhe 44% të punësimit, ishin vetëm 3,108 studentë më rënie 38% nga viti 2019.
Praktikisht Shqipëria po pëson një çrregullim të madh në daljen e profesionistëve të rinj dhe kjo duhet që me patjetër të përmirësohet me ndërhyrjen e Ministrisë së Arsimit. Përveçse të nxjerrim profesionistë për botën, nuk duhet të kontribuojmë në “vdekjen” e tregut të punës në shumë sektorë në vendin tonë.
Studimet në arsimin e lartë zotërohen nga sektori publik dhe Ministria e Arsimit është rregullatori kryesor i kuotave të studimeve. Shqipëria është kthyer në një eksportues neto të kapitalit human, me një humbje të pallogaritshme për të ardhmen e vendit dhe zhvillimin e qëndrueshëm.