Institucionet publike i kanë shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm të madh ekonomik. Sipas të dhënave të publikuara nga Kontrolli i Lartë i Shtetit dëmi në të ardhura dhe shpenzime kap vlerën 13 milionë euro, ndërkohë që efekti negativ për shkak të parregullsive është shumë më i lartë.
Parregullsitë kanë pasur efekt negativ (performancë të dobët) prej 88.5 miliardë lekësh, apo 756 milionë euro. Ndërkohë në total dëmi nga këto dy elemente është rreth 770 milionë euro.
Më tutje KLSH konstaton se, fusha e parë ku ka pasur dëme ekonomik më të lartë në shpenzime është ajo e investimeve dhe pas saj vijnë pagat, sigurimet dhe shpërblimet. Gjithashtu, abuzime të nivelit të lartë janë vërejtur në disa bashki, ministri dhe shoqëri aksionare që marrin financim nga të huajt.
“Në auditime janë përfshirë institucione të qeverisjes qendrore: ministri dhe agjenci përfshirë: drejtori qendrore dhe rajonale në varësi të tyre; njësi të vetëqeverisjes vendore: qarqe dhe bashki; institucione që administrojnë fonde speciale: ISSH dhe FSDKSH, institucione të pavarura; shoqëri aksionare me kapital shtetëror në të cilën shteti ka mbi 50% të aksioneve, apo projekte me financim të huaj”, thuhet në raport.
Ndërsa, tek efektet negative për shkak të parregullsive, fusha me shkeljet më të mëdha në grupin e të ardhurave është ajo e shitjes, blerjes dhe dhënies me qira të pasurisë shtetërore, ndjekur nga zbatimi i legjislacionit tatimor në qeverisjen lokale.
Këtu theksohet se nuk janë audituar të gjitha institucionet publike, ndryshe vlera e dëmit ekonomik do kapte shifra më të larta.
