Tenisti serb Novak Djokovic, një prej emrave më të njohur të sportit, është përfshirë sërish në konfliktin e hapur mes Kosovës dhe Serbisë. Prej ditësh serbët e Mitrovicës së Veriut nuk lejojnë që kryekomunarët shqiptar të hyjnë në institucionet e tyre. Tensionet kanë shkuar deri në përplasje fizike mes protestuesëve dhe forcave të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës.
Tenisti i ka kërkuar serbëve të ndalin dhunën por me një mesazh tejet provokues dhe nxitës të mëtejshëm të dhunës. Pas ndeshjes me Aleksandar Kovacevic, sipas televizionit shtetëror serb, tenisti i është drejtuar kamerës, duke shkruar: “Kosova është zemra e Serbisë! Ndaleni dhunën”.
Serbët kanë rrethuar komunatë e Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviçit. Ata thonë se nuk do të lejojnë që këto komuna të drejtohen nga politikanët shqiptarë. Në zgjedhjet e mbajtura në prill të këtij viti serbët nuk morën pjesë në shenjë revolte për dialogun mes Serbisë dhe Kosovës.