Haradinaj, pyet Kurtin se a ka marrë ndonjë shpërblim nga Rusia

Shkruar nga: B Hasi | Publikuar më: 28.05.2023, 20:52

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, është treguar i ashpër me kryeministrin Albin Kurti, pas ndodhive të fundit në veri.

Haradinaj duke kundërshtuar veprimet e Qeverisë së Kosovës, ka pyetur nëse Kurti ka marrë ndonjë shpërblim nga Rusia, pasi në shumë raste, ai thotë se kryeministri e kundërshtoi Amerikën.

“Nuk duhet me besu se është fitore për ne kur e dërgojmë një kryetar komune me policë, nuk është pamja jonë, nuk kemi nevojë për këtë. Nëse nuk e dëgjon Amerikën në tabela, nuk e dëgjon për kthimin e serbëve në punë, nuk e dëgjon për këshillën që kryetarët nuk kanë legjitimitet të votës, ata nuk janë të votuar, nuk kanë as 5 për qind votë, atëherë pyetja shtrohet a ke marrë ndonjë shpërblim prej Rusisë?”, ka thënë Ramush Haradinaj.

Më tutje Ish-kryeministri thotë se Qeveria duhet të tregohet e kujdesshme në çështjet e sigurisë.

“Çështjet e sigurisë nuk janë hajgare dhe nuk janë popullizëm i votës. Ato kanë pasoja nëse shkojnë në drejtim të gabuar. Është i pafalshëm ky skenar i Kurtit që e ka detyru edhe sekretarin Blinken me reagu në mënyrën që ka reagu”, shtoi Haradinaj.

Por pavarësisht që gjuhë të ashpër përdori për ezkeutivin, Haradinaj ka lavdëruar Policinë e Kosovës për profesionalizmin e treguar gjatë tensioneve të së premtes.

Theksojmë se të premten kryetarët e zgjedhur në pjesën veriore të vendit shkuan në Komunë për të ushtruar detyrën e tyre.

Policia u kundërpërgjigj me shok-bomba dhe gaz lotsjellës, teksa u raportua se pesë policë u lënduan dhe disa makina të tyre u dogjën.

Bashkësia ndërkombëtare ka dënuar fuqishëm veprimet e Kosovës, duke i kërkuar që të shtensionojë situatën.

BE-ja ka kërkuar që Prishtina të mos marrë veprime të njëanshme, ndërkaq Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar që Kosova të ndalojë menjëherë “masat e dhunshme”

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit