Rënia e fuqisë blerëse, kriza ekonomike dhe largimi i popullatës nga vendi, ka bërë që tregtarët e Fierit të ndjekin rendin e largimeve. Tezgat në pazarin e këtij qyteti kanë nisur të lihen bosh prej muajsh. Të rinjtë janë larguar, pensionistët nuk blejnë për konsum të madh dhe çmimet mbeten të larta, disa arsye shtesë se përse edhe ata të cilët kishin një punë të sigurtë kanë vendosur ta lënë Shqipërinë. Ndonëse Fieri është një nga zonat për prodhuese në sektorin e bujqësisë, sërish kjo nuk ka qenë një mbështetje për tregtarët për të vijuar t'u shërbejnë konsumatorëve.
Nga ana tjetër qeveria dhe Ministra e Financave, i varin shpresat për rritjen ekonomike te konsumi. Në një kohë kur inflacioni mbetet i lartë dhe shtrenjtimi i fruta-perimeve varion nga 14% deri në 20%, pagat për profesionistët u rriten me 0.3%, ndërkohë që pagat e politikanëve u rritën me 98%. Në këto kushte konsumi do të vijë në ulje pasi qytetarët, zinxhiri rrjedhës i ekonomisë së vendit, sot janë me xhepat bosh dhe politikanët me xhepat plotë.