Kompanitë kosovare transportojnë serbët e Veriut për në tubimin e Vucicit në Beograd

Shkruar nga: B Hasi | Publikuar më: 26.05.2023, 16:32

Përveç serbëve të cilët nga Veriu i Kosovës u nisën javë më parë në këmbë drejt Beogradit për të marrë pjesë në tubimin e thirrur nga Partia Progresive Serbe, që planifikohet të mbahet më 26 maj në Beograd, një numër i konsiderueshëm i serbëve, këtë të premte kanë udhëtuar për në Beograd.

Trasnportimi i tyre drejt kryeqytetit serb është bërë në bashkëpunim me kompanitë kosovare të autobusëve, siç janë “Barileva Turist”, “Fehmi Company”, “Kaltrina Travel” e “Shetit.com”.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ndryshe një ditë më parë u kërkoi ndjesë qytetarëve serbë për ditën e nesërme, e cila, sipas tij, “do të jetë një kolaps i plotë trafiku në të gjitha pjesët e qytetit të Beogradit”.

Ky kolaps është shkaktuar edhe nga shumë autobusë të kompanive kosovare të cilët janë kontraktuar nga serbët e veriut për të transportuar këta të fundit për në Beograd.

Mediat serbe, kryesisht ato opozitare, po raportojnë se tashmë Beogradi është vërshuar me autobusë dhe serbë të cilët kanë ardhur në Beograd për të mbështetur Vuçiqin.

Ndryshe Vuçiq, të enjten ka takuar disa serbë, të cilët ishin nisur në këmbë nga veriu i Kosovës për të marrë pjesë në tubimin e thirrur nga Partia Progresive Serbe, që planifikohet të mbahet më 26 maj në Beograd.

Në pritjen e organizuar në Presidencën e Serbisë, ai iu tha serbëve se “falë jush ne ende po luftojmë për Kosovën”, ndërsa shtoi se “këto nuk janë kohë të lehta për vendin tonë”.

Vuçiq u shpreh krenar për mundësinë të presë serbët nga Kosova të paktën, siç tha ai, për një kohë të shkurtër dhe t’i falënderojë ata për mbështetjen që i kanë dhënë shtetit të Serbisë.

“Jam krenar që ju ruani vatrat tona, kujdeseni për vendin dhe që me gjithë presionet e doni atë”, deklaroi Vuçiq, i cili më pas u ankua në bashkësinë ndërkombëtare.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit