Trajneri i Vissel e “ngujoi” në stol, Iniesta njofton mes lotësh largimin nga Japonia

Shkruar nga: Bardh Kodheli | Publikuar më: 25.05.2023, 11:53

Andres Iniesta largohet nga Vissel Kobe pas plot 5 vitesh, që nga 2018-ta kur mbylli një kapitull të jashtëzakonshëm suksesesh me Barcelonën. 39-vjeçari spanjoll do të luajë ndeshjen e fundit më datë 1 korrik, që konsiston me mesin e sezonit në Japoni. Ai kishte edhe gjashtë muaj kontratë, por gjeti akordin me drejtuesit për tu ndarë më shpejt.

U mendua se mesfushori legjendar i Spanjës dhe Barcelonës do të tërhiqej nga futbolli, por duket se nuk do të ndodhë kështu. 39-vjeçari shprehet se do të luajë ende futboll, në një vend ku edhe do të mbyllë karrierën. “Dua ta përfundoj kohën time këtu siç duhet dhe më pas të shoh se cilat opsione janë në dispozicion për mua.

Dua të vazhdoj të luaj. Është e vështirë për mua, kështu që dua të gjej një vend ku mund të tërhiqem përfundimisht. Zgjedhja për tu larguar nga Vissel Kobe është një nga vendimet më të vështira të karrierës sime", tha fantazisti mes lotësh. Iniesta zhvilloi 133 paraqitje për Vissel Kobe, duke fituar Kupën e Perandorit të Japonisë në 2019 dhe Superkupën e Japonisë në vitin pasardhës.

Këtë sezon ai u aktivizua në vetëm tre ndeshje si zëvendësues dhe kjo ishte edhe arsyeja e divorcit. “Gjithmonë kam menduar se do të tërhiqem këtu, por gjërat nuk kanë shkuar ashtu siç doja. Për disa muaj në periudhën e fundit jam stërvitur fort me synimin për të kontribuar për ekipin, por nisa të mendoj se trajneri kishte prioritete të ndryshme”, tha Iniesta, që nuk i mbajti dot lotët.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit