Tjetër gjyq i humbur me Becchetin, gjykata belge i ngrin qeverisë llogarinë e Albcontrol

Shkruar nga: Bardh Kodheli | Publikuar më: 24.05.2023, 14:27

Fancesco Becchetti vijon t’i krijojë probleme qeverisë shqiptare, që pa u menduar shumë, i mbylli bizneset dhe median, teksa tashmë i detyrohet italianit 110 milionë euro. Një gjykatë apeli në Bruksel ka vendosur të lërë në fuqi bllokimin e të ardhurave të Shqipërisë në kompaninë Eurocontrol, në llogari të biznesmenit italian.

Ky i fundit ka fituar gjyqin në formë përfundimtare në arbitrazh dhe shteti shqiptar i detyrohet shumën e frikshme të 110 milionë eurove. Ndërkohë, sipas “Syri TV”, më 15 maj, gjykata belge ka hedhur poshtë apelimin e bërë nga Eurocontrol, agjenci me qendër në Belgjikë, për të çliruar llogaritë e Albcontrol.

Eurocontrol argumenton se Albcontrol është një kompani e pavarur, pa lidhje ekonomike me shtetin shqiptar. Si pasojë, Shqipëria, Albcontrol dhe Belgjika u përfshinë në procedura gjyqësore. Pavarësisht pretendimeve, gjykata e apelit në Belgjikë ka lënë në fuqi vendimin e arbitrazhit.

Sipas saj, është e qartë nga marrëveshjet e mëparshme mes Eurocontrol dhe Shqipërisë, se kreditori ligjor është shteti shqiptar dhe jo vetë kompania Albcontrol. Më herët, vetë Eurocontrol kishte pranuar se Shqipëria është përgjegjëse për pagesat. “Kështu që ndryshimi i qëndrimit nga Eurocontrol është krejt i pabesueshëm,” thuhet në vendim.

Si pasojë e një gabimi trashanik dhe arbitrar nga ana e kësaj qeverie dhe kryeneçësisë së kryeministrit, kompania e kontrollit ajror të Republikës së Shqipërisë i ka të gjitha llogaritë e bllokuara deri në pagesën e plotë ndaj Francesco Becchetit. Mesa duket gjyq pas gjyqi, gjithçka po shkon në favor të biznesmenit italian dhe një dëmi të frikshëm të buxhetit të shtetit.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit