Seanca fillestare e paraparë të mbahej sot ndaj tre të akuzuarve për vrasjen e trefishtë në Gllogjan është ndërprerë për shkak se mbrojtja e të akuzuarve u deklaruan se nuk i posedojnë të gjitha deklaratat e dëshmitarëve të dhëna në Polici dhe Prokurori.
Për vrasjen e cila kishte ndodhur më 26 nëntor 2021 në Gllogjan, ku kishin mbetur të vdekur dy nxënës dhe shoferi i autobusit po akuzohen Kastriot Mehmetaj, Kreshnik Mehmetaj dhe Halil Mehmetaj.
Mbrojtësi i të akuzuarit Kreshnik Mehmetaj, avokati Sylë Lokaj, tha se prokuroria nuk ia ka dërguar të gjitha provat, ku sipas tij, mungojnë dëshmitë dëshmitarëve në polici dhe prokurori, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sipas avokatit Lokaj, përveç që nuk janë deklaratat e dëshmitarëve nuk e posedojnë as video-incizimin e kamerave që ishte i përshkuar në arsyetimin e aktakuzës.
Një pretendim të tillë kishin edhe mbrojtësit e të akuzuarve Kastriot dhe Halil Mehmetaj, avokatët Qëndresa Mekaj dhe Haxhi Qeku. Prokurorja Sahide Gashi, lidhur me këtë tha se provat që mbrojtja i liston janë në CD, dhe sipas saj, janë shkarkuar nga sistemi SMIL, ku janë të futura të gjitha dokumentet në një vend dhe në atë formë janë bartur në CD.
Mbrojtësit gjithashtu kërkuan lirimin e të akuzuarve nga paraburgimi pasi që sipas tyre, kishin pushuar arsyet dhe kushtet ligjore mbi bazën e të cilave ishte caktuar dhe vazhduar paraburgimi, duke propozuar zëvendësimin më ndonjë masë tjetër alternativë apo masë më e butë.
Prokurorja Gashi, e kundërshtoi në tërësi propozimet e mbrojtësve pasi që sipas saj, ishte vlerësuar thellësisht dhe është vërtetuar përgjegjësia e tyre mbi provat më të cilat mbështet aktakuza.
Sipas prokurores ata edhe nga paraburgimi kishin kërcënuar dhe kanë ndikuar përmes familjareve të tjerë ndaj dëshmitareve që do të dëgjohen në këtë shqyrtim, duke i kërkuar gjykatës që propozimet e mbrojtësve të refuzohen.
Një mendim të tillë kishin edhe përfaqësuesi i të dëmtuarve Arjanit Koci se bashku me të dëmtuarit e tjerë dhe përfaqësuesja e viktimave Zymreta Bashiq.
Gjyqtarja Violeta Husaj-Rugova, lidhur me propozimet e mbrojtësve tha se do të vendos pasi që të lëshohen në shqyrtimin pasi që mbrojta pretendon për disa prova që nuk i kanë dhe pastaj do të vendoset lidhur me propozimet.
Pasi që nuk kishte kushte që të vazhdohet me seancën e shqyrtimit fillestarë, seanca u ndërprit për të vazhduar me 6 qershor të këtij viti.