Shkollat shqiptare po boshatisen, në vitin 2022-2023 regjistrimet ranë me 4.1%

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 23.05.2023, 17:51

Sipas të dhënave zyrtare nga INSTAT, në vitin shkollor 2022-2023 janë regjistruar në arsimin zyrtar 554.222 nxënës dhe studentë, me një ulje prej 4,1 %, krahasuar me vitin shkollor 2021-22.

Në arsimin parauniversitar në vitin shkollor 2022-23 janë regjistruar 432.870 nxënës dhe fëmijë, duke shënuar një ulje prej 4,7 %, krahasuar me një vit më parë. Në arsimin parashkollor, gjatë këtij viti shkollor marrin pjesë gjithsej 69.750 fëmijë, 3,6 % më pak, krahasuar me vitin e kaluar shkollor. Shifra të tilla reflektojnë numrin e ulur të lindjeve te çiftet shqiptare.

Ndërkohë që në arsimin 9-vjeçar janë regjistruar 267.275 nxënës, 55,0 % në arsimin fillor dhe 45,0 % në ciklin e lartë të arsimit bazë. Krahasuar me vitin shkollor 2021-22, marrin pjesë në arsimin 9-vjeçar 3,9 % më pak nxënës. Në vitin shkollor 2022-23, 89,4 % e nxënësve të arsimit 9 vjeçar u regjistruan në institucionet e arsimit publik dhe 10,6 % në institucionet e arsimit privat. Ndër nxënësit e regjistruar në arsimin 9 vjeçar, vajzat përbëjnë 47,8 % të totalit.

Në vitin shkollor 2022-23, u regjistruan në arsimin e mesëm 95.845 nxënës, duke shënuar një ulje prej 7,4 %, krahasuar me vitin e kaluar shkollor. Këto të dhëna tregojnë qartë emigrimin masiv të ndodhur vitin e kaluar ku nxënës që sapo kishin mbaruar shkollën 9-vjeçare emigruan drejt Britanisë së Madhe, Gjermanisë, Francës dhe Italisë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit