Osmani në Bruksel: Nevojitet vendim strategjik për integrim në BE

Shkruar nga: B Hasi | Publikuar më: 22.05.2023, 18:38

Ministri i Punëve të Jashtme i RMV-së Bujar Osmani, sot në Bruksel mori pjesë në takimin joformal të Ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian dhe të vendeve të Ballkanit Perëndimor në kuadër të Këshillit të Punëve të Jashtme, me të cilin kryesonte Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Joseph Borrell.

Siç njoftojnë nga MPJ, në fokusin e bisedimeve ishte situata aktuale në vendet e Ballkanit Perëndimor dhe proceset e tyre euro integruese në kuadër të agresionit të pajustifikuar rus ndaj Ukrainës.

Osmani rikonfirmoi qëndrimin konsistent të vendit tonë si partner kredibil i BE-së në zbatimin e politikës së jashtme të BE-së dhe partnerëve transatlantikë, duke rikujtuar se, në raport me Ukrainën, Maqedonia e Veriut e mbështeti plotësisht qasjen e BE-së, duke dhënë mbështetje të madhe ushtarake, ekonomike dhe gjithsesi politike për pavarësinë dhe sovranitetin e saj, si dhe për rrugën e saj evropiane.

“Agresioni rus ndaj Ukrainës e ka theksuar urgjencën që të kombinohet natyra e brendshme dhe transformuese e politikës së zgjerimit së bashku me dimensionin e saj të pashmangshëm të politikës së jashtme. Interesi ynë i përbashkët është t’i eksplorojmë mënyrat më efektive si ta minojmë ndikimin e vendeve të treta jodemokratike në zemrën e Evropës. Duhet një vendim strategjik për integrim të përshpejtuar të rajonit në BE”, tha ministri Osmani.

Osmani theksoi se Maqedonia e Veriut jo vetëm që po bën përpjekje të mëdha për të përmbushur kriteret për anëtarësim në Union, por është bërë shembull në të gjithë rajonin me kulturën e dialogut dhe zgjidhjen me kompromis të çështjeve të hapura.

“Edhe pse nuk jemi drejtpërdrejt në fushën e betejës, megjithatë jemi në fushën e betejës të narrativave dhe dezinformatave dhe duhet t’i shmangim këto përpjekje dhe të hapemi ndaj mundësive përmes pajtimit, dialogut, tejkalimit të trashëgimisë të së kaluarës dhe zgjidhjes së mosmarrëveshjeve me mirëkuptim, respekt dhe zgjidhje reciprokisht të pranueshme”, theksoi Osmani.

Në margjinat e mbledhjes së Këshillit për Punë të Jashtme të BE-së, Osmani realizoi takim bilateral me Komisionerin Evropian Oliver Varhelyi, ku diskutoi për rrjedhën e shkëlqyer të procesit të skriningut dhe nevojën e miratimit të ndryshimeve kushtetuese me qëllim të vazhdimit të negociatave të anëtarësimit në linjë të përshpejtuar rritëse.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit