Shkëlqim Fusha i firmës FUSHA vazhdon pa u ndalur serinë e tij të fitimit të tenderave të majmë njëri pas tjetrit. Problemi qëndron se këto tendera janë të dyshimtë për mënyrën se si janë dhënë dhe në fund ai që e ha është gjithmonë populli.
Kjo ndodh pasi janë paratë tona ato që shpërdorohen për të bërë qoka në xhepat e oligarkëve, siç është rasti i sotëm. Rezulton se Agjencia Kombëtare e Bregdetit ka hapur një tender që mban numrin e referencës REF-62807-03-17-2023 dhe ka si objekt “Loti 1 – Shërbimi i Pastrimit të Zonës Bregdetare për Bashkitë Durrës, Kavajë, Rrogozhinë”.
Fondi limit i kësaj procedure është 91,483,578 lekë të reja pa TVSH ose rreth 1 miliardë lekë të vjetra përfshirë TVSH. Le të shikojmë dokumentacionin e këtij tenderi. Vihet re se FUSHA ka marrë pjesë në garë së bashku me “krokodilin” tjetër të tenderave të pastrimit, “ALKO-IMPEX CONSTRUCTION” në pronësi të nipit të Sadri Abazit, ish deputet socialist.
Bashkimi i këtyre dy operatorëve ka ofruar një vlerë prej 88,588,414 lekë të reja pa TVSH ose rreth 1 miliardë lekë të vjetra me TVSH. Por ndërkohë në tender ka marrë pjesë edhe një firmë tjetër e cila ndonëse ka dhënë vlerë më të vogël, është skualifikuar.
Përtej kësaj, nëse bëjmë krahasimin mes vlerës së ofruar nga FUSHA dhe ALKO-IMPEX CONSTRUCTION me fondin limit të tenderit, vihet re se janë thuajse identike. Më konkretisht vlera e cila është shpallur edhe fituese, rezulton të jetë sa 97% e fondit limit. Në këtë mënyrë krijohen dyshime të forta se kemi të bëjmë me fitues të paracaktuar.