Vetëm para pak javësh hyri në fuqi kodi i ri rrugor, që përfshinte disa lehtësira, por edhe shtrëngime, më së shumti financiare, ku ishin rritur çmimet e gjobave. Por ajo që mori një vëmendje të veçantë ishte fakti se edhe nëse bën shkelje, që përfshin pezullimin e lejes së drejtimit, ti mund ta evitosh këtë ndëshkim nëse paguan dyfishin e gjobës.
Pikërisht kjo praktikë duket se është kthyer në një burim të frikshëm parash për policinë, që siç edhe publikon vetë nëpër rrjete sociale ja “ngjesh” vazhdimisht shoferëve, të cilët detyrohen të paguajnë gjobën, për të vijuar të kenë në zotërim patentën.
Siç shihet në këtë video të Policisë së Shtetit, vartësit e Met Rrumllakut kanë konstatuar disa shkelje në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe në të gjitha rastet shoferët kanë pranuar të paguajnë dyfishin e gjobës. Në harkun e një kohe të shkurtër, policia ka arritur të fitojë një shifër prej më shumë se 1 milionë lekësh të vjetër.
SHIKO VIDEON E PUBLIKUAR NGA POLICIA
Një nga avantazhet që policia zbardhi në kodin e ri rrugor ishte edhe ulja me 50% e gjobës nëse e paguan brenda 15 ditësh. Mesa duket, humbjet që policia pëson nga ky reduktim, arrin t’i kompensojë me këtë rregull të ri, që i rëndon akoma më shumë shoferët, të cilët janë gati të paguajnë, vetëm që patenta të mos u bllokohet dhe misioni për të dërguar para në familje të mos ndalet.